Për të dytën ndeshje radhazi, Tirana dhe Partizani kanë barazuar 0-0 në derbin e kryeqytetit, i 176-ti në historinë mes dy skuadrave.
Këtë të diel në “Air Albania” skuadrat nuk mundën sërish të gjenin golat, me VAR dhe portierët që ishin protagonistë në javën e 15-të të Superligës.
Ndeshja nisi në atmosferën e zjarrtë në afro 11 mijë tifozëve. Ishte Tirana që provoi në minutat e para, ndërsa ndeshja më pas u ekuilibrua. Duhej minuta e 29-të kur Tirana gjeti epërsinë, kjo pas autogolit të Sembene.
Pas kontrollit me VAR gjithçka u anulua për pozicion jashtë loje, teksa skuadrat shkuan në paqe në dhomat e zhveshjes.
Fraksioni i dytë ishte i luftuar nga ana sportive, me Partizanin që kishte më shumë raste, por portieri Selmani ishte në gjendje të mirë.
Fundi i sfidës ishte dramatik, aty ku pas një aksioni për Tiranën nga e majta e sulmit, krosimi u ndal në dorën e Bytyçit brenda zonës. Kryesori Florjan Lata vijoi lojën, ndërsa te Tirana pati protesta dhe kartona për këtë fakt.
Pas disa minutave konsulta me VAR, arbitri e pa vetë rastin dhe akordoi penallti. Nga 11 metra distancë sulmuesi Prengaj gaboi te Tirana dhe Pano Qirko bëri heroin nga ana tjetër duke pritur penalltinë në minutën 90+7.
Në fund 0-0 dhe skuadrat ndajnë nga një pikë. Partizani vijon të jetë në krye të renditjes me 28 pikë, ndërsa Tirana me 16 pikë pozicionohet e shtata. Për Tiranën plot dy vite pa fitore në derbi, me Partizanin që për ndeshjen e nëntë radhazi nuk humbet kundër bardhebluve.
Formacionet zyrtare:
Tirana: Selmani, Përgjoni, Kola, Dembele, Isuf, Soler, Jonuzi, Meta, Gjumsi, Haxhiu, Yaarmuni Trajner: Gugash Magani
Partizani: Qirko, Sembene, Preka, Domgjoni, Hadroj, Kote, Ismaili, Rrapaj, Cara, Keko, Mba Trajner: Aleksandar Veselinovic