Vendosni fjalën kyçe....

Nuk ndalen protestat në Gjeorgji kundër pezullimit të bisedimeve me BE-në 


Protestat kundër vendimit të qeverisë gjeorgjiane për të pezulluar për katër vjet bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian kanë hyrë në ditën e katërt, duke përfshirë kryeqytetin Tbilis dhe qytete të tjera në vend. 

Që nga e enjtja, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të shprehur kundërshtimin e tyre, ndërsa tensionet mes partisë qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe opozitës vazhdojnë të rriten.

Protestuesit pro-BE-së akuzojnë qeverinë për politika autoritare dhe për një qasje gjithnjë e më pro-ruse. 

Demonstruesit në kryeqytet u mblodhën në bulevardin qendror Rustaveli, ndërsa protesta u raportuan edhe në të paktën tetë qytete të tjera.

Në Poti, qyteti kryesor portual, u bllokua një rrugë hyrëse, ndërsa në Khashuri, protestuesit hodhën vezë mbi zyrën lokale të partisë në pushtet dhe hoqën flamurin e saj. 

Sipas Ministrisë së Brendshme, të shtunën u raportuan 44 të lënduar, përfshirë 27 protestues, 16 oficerë policie dhe një punonjës mediatik, përcjell The Guardian.

Në Tbilis, protestuesit dogjën një kukull që përfaqësonte themeluesin e “Ëndrra Gjeorgjiane”, miliarderin Bidzina Ivanishvili, të cilin opozita e akuzon për lidhje të ngushta me Rusinë. 

Kryeministri Irakli Kobakhidze paralajmëroi ndëshkime për ata që shkelin ligjin, duke akuzuar opozitën për nxitje të dhunës.

Ndërkohë, Presidentja pro-perëndimore Salome Zurabishvili deklaroi se Gjeorgjia po shndërrohet në një “shtet gjysmë-rus” dhe kërkoi zgjedhje të reja që të garantojnë vullnetin e popullit. 

Vendimi i qeverisë për të pezulluar bisedimet me BE-në vjen pasi Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që e konsideroi të pandershme zgjedhjen e përgjithshme të muajit të kaluar në Gjeorgji.

Bashkimi Evropian kritikoi ashpër këtë vendim, duke shprehur shqetësim për prapambetjen demokratike në vend. 

Protestat pritet të vazhdojnë, ndërsa kërkesat për zgjedhje të reja dhe për rikthim në kursin evropian mbeten kryesore për opozitën dhe qytetarët pro-perëndimorë.