Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka thënë se Beogradi “nuk ka lidhje me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepencit” dhe se Serbia as nuk e “mendon diçka të tillë”.
“Ne më shumë se Prishtina do këmbëngulim për zbardhjen e këtij rasti. Në Prishtinë nxituan menjëherë të akuzonin Beogradin dhe Serbinë se e kanë bërë këtë. Beogradi dhe Serbia nuk e kishin idenë dhe as nuk do të na kishte shkuar në mendje ta bënim këtë”, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp në Beograd.
Ai përsëriti se Serbia “nuk ka të bëjë fare me këtë rast”, shkruan N1Info.
“Ne si shtet serioz nuk jemi marrë me akuzat, nuk kemi thënë se sulmin e ka porositur Albin Kurti, këtë do e tregojë hetimi. Edhe ne po bëjmë hetimin tonë, kemi disa dyshime, por nuk do flasim për këtë. Kemi disa informacione dhe kush mund të jetë autori”, tha Vuçiç dhe shtoi se Serbia është “plotësisht e hapur për çdo bashkëpunim me EULEX-in” në hetim.
Vuçiç shtoi se pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc, “ka ndodhur një përpjepje për një sulm të madh dhe të ashpër hibrid ndaj Serbisë”.
Nga shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit, disa rajone në veri të Kosovës mbetën pa furnizim me ujë ndërsa kishte gjithashtu probleme edhe me furnizimin me energji elektrike. Tetë persona janë arrestuar lidhur me sulmin ndërsa sipas kryeministrit të Kosovës Kurti, pas sulmit terrorist fshihej Serbia.