Vendosni fjalën kyçe....

110 mln euro për Becchettin, PD kërkesë në Kuvend për interpelancë urgjente me Ramën


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, kërkon interpelancë urgjente me Kryeministrin për ekzekutimin e pagesës 110 milionë euro të shtetit shqiptar për biznesmenin Becchetti.

Në kërkesën e depozituar në Kuvend nga Gazment Bardhi, thuhet se Kryeministri Edi Rama dhe ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj e kanë mohuar në vazhdimësi se Shqipëria do të paguante dëmshpërblimin prej 110 milionë euro sipërmarrësit Becchetti dhe ortakëve të tij, proceset e iniciuara nga qeveria shqiptare pranë ICSID dhe tribunaleve të tjera ndërkombëtare nuk arritën të prodhonin asnjë ndryshim, sa i përket detyrimit të qartë të shtetit shqiptar për shlyerjen e plotë të faturës financiare të mbylljes dhe shkatërrimit të televizionit Agonset.

 “Në javën e dytë të nëntorit, mediat shqiptare raportuan gjërësisht se një përmbarues belg kishte arritur të ekzekutonte vlerën e plotë të dëmit në favor të biznesmenit italian nëpërmjet fondeve të Albcontrol, që mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol prej dhjetorit 2020. Sipas raportimeve mediatike, në 12 nëntor 2024, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol për kryerjen e ekzekutimit të plotë të vendimit të ICSID”, thuhet në kërkesë.

Në vijim theksohet se megjithatë, deri në datën e paraqitjes së kësaj kërkese, nga ana e qeverisë shqiptare dhe kompanisë Albcontrol nuk ka pasur asnjë reagim a qëndrim zyrtar sa i përket vërtetësisë së raportimeve mediatike dhe në funksion të transparencës së plotë me taksapaguesit shqiptarë, të cilët për shkak të veprimeve arbitrare e të paligjshme të kryera nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, si Kryeministri, Kryebashkiaku i Tiranës dhe Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë duhet të shlyejnë faturën më të lartë në historinë e arbitrazheve ndërkombëtare me palë shtetin shqiptar.

Bardhi thekson se Qeveria dhe kompania Albcontrol kanë për detyrë të informojnë Kuvendin e Shqipërisë, dhe nëpërmjet tij qytetarët shqiptarë lidhur me vërtetësinë e këtij procesi, përgjegjësit dhe pasojat e këtij dëmi kaq të lartë financiar.

“Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve të detajuara lidhur me ekzekutimin e vendimit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID)”, theksohet në kërkesën e depozituar nga PD.

foto galeri

foto galeri