Vendosni fjalën kyçe....

Borxhi publik afatshkurtër ka rënë në nivelet më të ulëta historike


Treguesit e riskut të borxhit të publik këtë vit ranë më tej në tremujorin e tretë të vitit.

Sipas informacionit të publikuar nga Ministria e Financave, rreziku i rifinancimit të borxhit të brendshëm publik këtë vit paraqitet në nivelet më të ulëta historike.

Vlera e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti në fund të 9-mujorit 2024 përbënte 41.1%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 44.7% i fundit të vitit të kaluar.

Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit. Në fundin e muajit shtator, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 2.58 vjet, nga 2.32 vjet që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Kjo rritje dëshmon pikërisht përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë edhe gjatë 9-mujorit të këtij viti.Edhe indikatorët e tjerë të riskut të borxhit publik po ndjekin një tendencë rënëse këtë vit.

Rreziku i kursit të këmbimit, i shprehur si raporti i borxhit në monedhë të huaj ndaj totalit të borxhit publik, zbriti në 42%, nga 45.6% që ishte në fund të vitit të kaluar.Në masën më të madhe, ulja e këtij rreziku është mbështetur te forcimi i lekut në kursin e këmbimit, që ka ulur vlerën e borxhit në valutë të huaj dhe peshën e tij specifike.

Risku i normave të interesit, i shprehur si përqindja e borxhit që rifiksohet brenda një viti kundrejt totalit të borxhit publik zbriti në 41.5%, nga 45.4% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Në treg vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë po ndjek një tendencë rënëse, i mbështetur nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit dhe një politikë fiskale më e konsoliduar, me deficite buxhetore më të ulëta.

Pasi arriti një nivel rekord prej më shumë se 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie vitet në vazhdim dhe në fund të vitit 2023 zbriti në 57.5% të PBB-së. Sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave në fund të 9-mujorit 2024 borxhi publik ishte sa 55.45% e PBB-së.

Rënia më e fortë është arritur në segmentin e borxhit të jashtëm, që në fund të shtatorit vlerësohej sa 23.55% e PBB-së, nga 36.45% që kishte qenë në 2021 dhe 26.2% në fund të vitit 2023. Kjo dëshmon ndikimin e fortë që ka dhënë kryesisht forcimi I lekut në uljen e borxhit publik.

Borxhi paraqitet në rënie madje edhe në vlerë absolute. Sipas Ministrisë së Financave, stoku i borxhit në fund të muajit shtator kishte vlerën e më pak se 1.35 trilionë lekëve, me një rënie prej rreth 13 miliardë lekësh ose afërsisht 1% krahasuar me fundin e vitit të kaluar./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor