Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ministri i Mbrojtjes së Izraelit akuzon Netanyahun për spastrim etnik të palestinezëve në veri të Gazës


Një ish-ministër izraelit i mbrojtjes, ka shkaktuar një stuhi të fortë pasi akuzoi qeverinë e Netanyahut se po bën spastrim etnik të palestinezëve në Gazën veriore.

Moshe Ya’alon, i cili shërbeu për tre dekada në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), duke përfshirë në njësinë elitare komando “Sayeret Matkal”, dhe si shef i shtabit të ushtrisë, tha gjithashtu se ai besonte se Izraeli po humbte identitetin e tij si një demokraci liberale dhepo bëhej një “shtet mesianik fashist i korruptuar dhe lebroz”.

“Pushtimi, aneksimi, spastrimi etnik, shikoni Gazën veriore,” tha Ya’alon për televizionin izraelit Democrat TV, shkruan CNN.

Intervistuesi shprehu habinë për përdorimin e shprehjes “spastrim etnik” nga Ya’alon, duke pyetur: “A është kjo ajo që mendoni se ne jemi duke bërë atje?”

 “Çfarë po ndodh atje? Nuk ka Beit Lahia. Nuk ka Beit Hanoun. Ata aktualisht po operojnë në Jabalya dhe në thelb, ata po pastrojnë zonën nga arabët, “tha ai, duke iu referuar IDF-së.

Ushtria izraelite ka dy muaj që po kryen një operacion intensiv dhe vdekjeprurës në veri të Gazës, duke synuar, siç thotë ajo, militantët e Hamasit. Ajo u ka thënë të gjithë civilëve se për sigurinë e tyre, ata duhet të shkojnë në një zonë humanitare në jug të Gazës.

Mijëra civilë palestinezë kanë kundërshtuar të largohen, pas më shumë se një viti që u është thënë të evakuohen në zonat e Gazës që më pas janë gjithashtu në shënjestër nga sulmet izraelite. Sipas Programit Botëror të Ushqimit, shumë pak ndihma janë lejuar në Gazën veriore.

Ushtria izraelite, duke iu përgjigjur Ya’alon-it, mohoi se po pastronte etnikisht Gazën veriore dhe tha se ajo operonte “në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe po evakuon civilët bazuar në nevojën operacionale, për mbrojtjen e tyre”.

Qeveria nuk ka paraqitur ende një plan për qeverisjen e pasluftës në Gaza.