Vendosni fjalën kyçe....

PD paditi në SPAK Ballukun, Logu: Dyfishoi koston e projektit fotovoltaik, i shkaktoi shtetit 5 milionë euro dëm


Marash Logu, këshilltar ligjor në PD, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 foli më gjatë në lidhje me denoncimin e Partisë Demokratike në drejtim të ministres së Ekonomisë dhe Energjitikës, Belinda Ballukut.

Logu tha se Balluku dyfishoi koston e projektit fotovoltaik në digën e Zadejës, duke i shkaktuar shtetit 5 milionë euro dëm ekonomik.

 “Belinda Balluku dyfishoi koston e projektit fotovoltaik. Balluku bëri korrupsion me impiantin fotovoltaik. Po e jap si shembull që ta kuptojnë edhe qytetarët. Të njëjtën vepër që do e ndërtonte një shoqëri private, do bëhej për 300 mijë euro, ndërsa konkretisht është ndërtuar me 900 mijë euro. Kostoja e shtuar është në kurriz të taksave të shqiptarëve. Janë 5 milionë euro abuzim në një projekt. Duhet hetuar se në xhepat e kujt kanë shkuar paratë. Hetimin duhet ta bëjë SPAK. Ne i jemi drejtuar SPAK-ut me një kallëzim, duke i dhënë të gjitha dokumentet që kemi në dispozicion.

Dyshimet janë edhe për vepra të tjera penale, përveç shpërdorimit të detyrës, që është provuar qartësisht. 5 milionë eurot kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve publikë, duke bërë tepër të pasur zyrtarët dhe janë para që përdoren në fushata elektorale. Kjo është arsyeja se përse fushatat e PS janë kaq pompoze. Kemi rast abuzimi dhe paligjshmërie në një nivel tepër të lartë qeverie. SPAK të vendosë Ballukun përpara përgjegjësisë penale. Kemi të përfshirë në korrupsion edhe drejtorin e KESH, Ergys Verdhon. Janë edhe zyrtarë më të ulët. Korrupsionin 5 milionë euro nuk e bën dot një zyrtar i ulët, pa e bërë fillimisht një zyrtar i lartë i shtetit. Belinda Balluku ka dhënë miratimin, me firmën e saj projekti ka shkuar përpara. Ajo ka qenë në dijeni për abuzimin dhe korrupsionin në lidhje me këtë rast. Institucionet që drejtohen nga Balluku kanë paligjshmëri, prandaj shumë bashkëpunëtorë të saj janë sot në burg. Shkeljet janë gjetur edhe nga kontrollet e KLSH”, tha Logu.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka depozituar në SPAK, kallëzim për zv.kryeministren Belinda Balluku, duke e akuzuar se, përmes firmës së saj, i ka kushtuar shtetit një dëm prej 5 milionë eurosh, në projektin e ndërtimit të impiantit fotovoltaik në Digën e Zadejes.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Balkanweb