Vendosni fjalën kyçe....

Prapaskenat/ SHBA-ja e Emiratet Arabe i ofrojnë Asadit heqjen e sanksioneve nëse shkëputet nga Irani


Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad takohet me Ministrin e Jashtëm të Iranit Abbas Araghchi, në Damask, Siri, 1 dhjetor 2024

SHBA-ja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë diskutuar me njëri-tjetrën mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad nëse ai shkëput marrëdhëniet me Iranin dhe ndalon rrugën e hyrjes së armëve për Hezbollahun në Liban, thanë pesë persona të njohur me çështjen.

Bisedimet u shtuan muajt e fundit, thanë burimet, të nxitura nga skadimi i mundshëm më 20 dhjetor i sanksioneve gjithëpërfshirëse të SHBA-së ndaj Sirisë dhe nga fushata e Izraelit kundër rrjetit rajonal të Teheranit, përfshirë Hezbollahun në Liban, Hamasin në Gaza dhe grupet iraniane në Siri.

Diskutimet u zhvilluan përpara se rebelët kundër qeverisë së Asadit të futeshin në Alepo javën e kaluar në ofensivën e tyre më të madhe në Siri prej shumë vitesh.

Sipas burimeve, përparimi i ri i rebelëve është një sinjal i dobësisë në aleancën e Asadit me Iranin, të cilën nisma e Emirateve dhe e SHBA-së synon të shfrytëzojë. Por nëse Assad përqafon ndihmën iraniane për një kundërsulm, kjo gjithashtu mund të ndërlikojë përpjekjet për të krijuar një pykë mes tyre, thanë burimet.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi vizitoi Sirinë të dielën në shenjë mbështetjeje për Assadin dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan foli me Asadin në telefon për zhvillimet e fundit në fundjavë.

Për këtë shkrim, Reuters foli me dy burime amerikane, katër bashkëbisedues sirianë dhe libanezë dhe dy diplomatë të huaj të cilët thanë se SHBA-ja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shohin një dritare për të futur një pykë midis Asadit dhe Iranit, gjë që e ndihmoi atë të rimarrë pjesë të vendit të tij gjatë luftës civile që shpërtheu në vitin 2011.

Mediat libaneze kanë raportuar se Izraeli kishte sugjeruar heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Sirisë. Por nisma e Emirateve të Bashkuara Arabe me SHBA-në nuk është raportuar më parë. Të gjitha burimet folën në kushte anonimiteti duke qenë se bëhet fjalë për një çështje të ndërlikuar e të brishtë.

Qeveria e Sirisë dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Reuters. Emiratet e Bashkuara Arabe i referuan Reuters-it, deklaratën e saj për telefonatën e bin Zayed me Assadin.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë marrë një rol udhëheqës në rehabilitimin e Assadit në mesin e shteteve arabe kryesisht myslimane sunite që e shmangën atë pasi ai pranoi ndihmën nga Irani shiit, jo-arab për të shuar rebelimin e udhëhequr nga sunitët kundër tij.

Emiratet pritën Assadin në vitin 2022, vizita e tij e parë në një vend arab që nga fillimi i luftës, përpara se Liga Arabe të rivendoste anëtarësimin e Sirisë.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shpresuar prej kohësh të largojnë Asadin nga Irani dhe duan të ndërtojnë lidhje biznesi me Sirinë, por sanksionet e SHBA-së i kanë penguar këto përpjekje, thanë burimet.

Një diplomat i lartë rajonal i informuar nga Teherani i tha Reuters se Irani ishte informuar “për përpjekjet në prapaskenë të disa vendeve arabe për të izoluar Iranin duke e larguar Sirinë nga Teherani”.

Diplomati tha se këto përpjekje ishin të lidhura me ofertat për lehtësimin e mundshëm të sanksioneve nga Uashingtoni.