Vendosni fjalën kyçe....

Prostitutat në Belgjikë fitojnë të drejtën e lehonisë, miratohet ligji


Prostitutat në Belgjikë tani kanë të drejtë për kontrata zyrtare pune, të cilat përfshijnë pagesën në raste sëmundjeje dhe pushimin e lehonisë, sipas një ligji historik që hyri në fuqi të dielën.

Sipas ligjit, të cilin ligjvënësit belgë e miratuan në maj, prostitutat që nënshkruajnë një kontratë të tillë kanë gjithashtu të drejtën për një sërë të drejtash dhe mbrojtjesh të tjera që zakonisht zbatohen për punëtorët e punësuar në industri të tjera, si sigurimet shëndetësore dhe përfitimet e papunësisë.

“Kjo është korniza e parë në botë gjithëpërfshirëse legjislative që u jep punonjëseve të seksit të drejta të barabarta me punonjësit e tjerë dhe i mbron ato nga rreziqet që përfshin vendi i punës”, tha për CNN, Daan Bauwens, drejtor i Unionit Belg të Punëtoreve të Seksit.

Prostitutat që nënshkruajnë një kontratë zyrtare pune tani kanë “çdo lloj mbrojtjeje sociale” për shumicën e punonjësve në Belgjikë, sipas Quentin Deltour, menaxher i marrëdhënieve me publikun në Espace P, një grup që mbron të drejtat e punonjësve të seksit në Belgjikë, që ndihmoi në hartimin e ligjit.

Sipas legjislacionit, prostitutat kanë gjithashtu të drejtën të kundërshtojnë t’i ofrojnë shërbime një klienti ose të kryejnë një akt seksual të caktuar dhe të ndalojnë punën në çdo kohë.

Ligji i ri kërkon që punëdhënësit e punonjësve të seksit të marrin një licencë nga qeveria, tha Deltour për CNN. Licencat jepen vetëm nëse punëdhënësi i mundshëm plotëson disa kritere, duke përfshirë të mos ketë dënime të mëparshme për përdhunim ose trafikim njerëzor.

Ligji imponon gjithashtu detyrime për punëdhënësit e punonjësve të seksit, duke u kërkuar atyre të sigurojnë prezervativë, çarçafë të pastër dhe një buton alarmi emergjence në dhomat e tyre, ndër të tjera.