Vendosni fjalën kyçe....

Rënia e euros dhe kontratave godet fasonët, shkurtojnë mbi 10 mijë vende pune


Sektori i eksporteve të tekstileve dhe veshjeve te këmbës vijon të jetë në vështirësi për shkak të rënies së euros dhe kontratave porositëse nga vendet e Europës. Vështirësitë e sektorit kanë sjellë mbylljen e një sërë fabrikash dhe shkurtim të vendeve të punës.

Edvin Prençe kryetari i Shoqatës ProEksport Albania tha për “Monitor” se nga muaji nëntor i vitit 2023 deri në muajin nëntor 2024, në sektor llogariten mbi 10 mijë vende pune të shkurtuara dhe rreth 50 biznese që kanë mbyllur aktivitetin.

“Përveç mbylljes së fabrikave, shkurtimi i shumë prej vendeve të punës ka ardhur edhe për shkurtimin e linjave të prodhimit. Shumë prej fabrikave kanë përgjysmuar linjat e prodhimit për të reduktuar kostot e tyre. Ndërsa numri i fabrikave të mbyllura është i lartë. Vetëm brenda muajit janë mbyllur 3 fabrika në zonën e Durrësit me rreth 400 punonjës. Javën e kaluar u mbyll një tjetër fabrikë në zonën e Ndroqit, me pronësi italiane. Pas mbylljes së aktivitetit pronari u detyrua të shesë makineritë me çmim të lirë”.

Shkurtime të vendeve të punës në sektorin fason pati edhe përgjatë vitit 2023, ku ndër zonat më të prekura ishin në Krujë, Fushë-Krujë, Laçi, Lezhë e Shkodër.

“Më të prekura nga mbyllja e vendeve të punës janë zonat rurale dhe krijon ndikim social te punësimi i këtyre zonave, ku nuk ka zhvillim ekonomik për të krijuar vende pune”, nënvizon kryetari i ProEksport Albania.

Prençe pohon se vështirësitë në sektor janë krijuar nga rënia e vazhdueshme e monedhës europiane euro që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Në kahun tjetër ai thotë se kërkesa në Europë është ulur, sidomos në muajt e dimrit rënie e kontratave ndihet më shumë.

“Vështirësitë për sektorin pritet të shtohen përgjatë muajit dhjetor. Deri në mars të 2025 trendi do të vijojë të jetë i njëjtë. Rritja e kostove pamundëson shumë drejtues të fabrikave të kenë likuiditet të lartë për investime.

Mbyllja e ciklit do të ishte zgjidhje për shumë fabrika, por ky është një proces që nuk mund të realizohet menjëherë. Duhej të ishte ndërmarrë vite më marrë. Rritja e kostove po ndikon negativisht te industria ku partnerët tanë kryesisht italianë po zëvendësojnë fabrikat në shtete të tjera, kryesisht në Tunizi, ku paguhen më pak taksa”, pohon ai.

Për periudhën janar-tetor 2024 sipas të dhënave të INSTAT eksportet e veshjeve tekstile -këmbës arritën e vlerën 88,4 mld lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të mëparshme eksportet ranë 17.1%. Kjo është vlera më e ulët e eksporteve për 10 mujorin, që pas periudhës së pandemisë së Covid-19.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor