Garantimi i sigurisë kombëtare, ruajtja e paqes, angazhimi në misione ushtarake jashtë vendit por edhe menaxhimi i fatkeqësive natyrore brenda Shqipërisë kërkojnë rritje të forcave të armatosura.
Në Komisionin e Ekonomisë ku u miratua projektligji për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu foli me shifra për kapacitetet aktuale të Forcave të Armatosura.
“Maksimali për forcat e armatosura duhet të jetë 12 mijë të rekrutuar dhe nga këto 10 mijë duhet të jenë të mobilizueshme, aktualisht ne kemi vetëm 6500 prej tyre të mobilizueshme, dhe përmes këtij projektligji synojmë të rrisim këtë forcë”, tha Vëngu.
Shqipëria synon të ketë 2100 rezervistë deri në vitin 2030 që do të angazhohen në misione jashtë vendit dhe për përballimin e fatkeqësive natyrore, ndërsa kostoja ditore për një rezervist përllogaritet mbi 1 mijë euro.
“Kosto fillestare për vitin 2025 parashikohet për aktivizimin e një kompanie me 125 vetë dhe është e vlerësuar të arrijë në masën 155.7 milionë lekë që është e reflektuar në plan-buxhetin 2025, dhe për çdo vit kemi shtesa për të arritur në objektivin e 2030-ës me katër kompani me nga 475 veta secila”, tha Pirro Vëngu, ministër i Mbrojtjes.
Por kjo faturë për deputetët është e lartë, por ministri Vëngu tha se rezervisti paguhet vetëm për ditët kur ai është në shërbim, dhe jo për gjithë vitin.
“Nga një kalkulim modest më rezulton se për çdo rezervist do të shpenzohen 105 mijë lekë të reja çdo muaj. Qëllimi në fakt është ula e kostove”, tha Mimi Kodheli.
“I bie 10 mijë euro në vit për person. Edhe çik më shumë. 1 mijë në muaj për një rezervist që do shërbejë për maksimalisht 40 ditë”, tha deputeti Dashamir Shehi.
“Po, kosto është rreth 1000 euro pasi përshihen nga uniforma te pajisjet personale, bashkë me rrogën dhe pagesat e ushqimit dhe karburantit. Do ti paguajmë rezervistët për sa kohë do të jenë të angazhuar, dhe jo për gjithë vitin. Pra aq sa ditë do angazhohen do paguhen.”, tha Vëngu.
Shteti e privati do të duhet të japin leje për punonjësit e tyre në ditët e shërbimit si rezervistë.
“Kohëzgjatja e shërbimit rezervistë do të jetë nga 14-45 ditë në vit, afati mund të jetë më i gjatë nëse do të kërkohen shërbime specifike, apo nëse do të shkojnë në misione. Shtetasit e angazhuar si rezervistë do të nënshkruajnë një kontratë dyvjeçare me të drejtën e rinovimit dhe kompanitë shtetërore dhe sipërmarrjet private do të jenë të detyruara të japin leje për punonjësit kur kërkohet angazhimi i tyre si forcë rezerviste pasi ka rëndësi të veçantë kombëtare”, tha Vëngu.
Për t’u bërë rezervistë të drejtën do ta kenë të gjithë shqiptarët e padënuar e po ashtu edhe ish-ushtarakët, po ashtu në këtë forcë do kenë mundësi të futen edhe shtetas shqiptar që jetojnë jashtë vendit.
Sa i takon moshës do të pranohen deri në 50 vjeç për rezervistë, 55 vjeç për nën oficer dhe 60 vjeç për oficer.
Në projektligj janë parashikuar edhe gjoba nga 10 deri në 50 mijë lekë kush nuk përmbush detyrimet si rezervist.