Banka Qendrore e Singaporit gjobiti gjigantinbankar amerikan “JPMorgan Chase” me 1.79 milionë dollarë amerikanë për dështimin në parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit ndaj klientëve të kryer nga menaxherët e saj.
Autoriteti Monetar i Singaporit (MAS) tha se menaxherët e marrëdhënieve me publikun të JPMorgan u dhanë klientëve informacion të pasaktë ose jo të plotë në 24 raste të transaksioneve të obligacioneve pa bursë, duke i ngarkuar atyre pagesa mbi normat e dakorduara.
MAS tha në një deklaratë se JPMorgan Chase nuk kishte procese dhe kontrolle të përshtatshme për të siguruar që menaxherët e marrëdhënieve t’u përmbaheshin normave të parapajtuara me klientët.
Banka qendrore tha se banka kishte pranuar përgjegjësinë për dështimin e saj për të parandaluar ose zbuluar sjelljen e pahijshme dhe kishte paguar MAS.
“Banka ka rimbursuar tarifat e mbingarkuara për klientët e prekur. Banka ka përmirësuar gjithashtu kuadrin e saj të çmimeve dhe kontrollet e brendshme për të parandaluar përsëritjen e një sjelljeje të tillë të keqe,” tha MAS.
JPMorgan Chase tha në një deklaratë se ishte i kënaqur që çështja ishte zgjidhur dhe se “përfaqëson një pjesë shumë të vogël të totalit të tregtimeve të përpunuara gjatë periudhës përkatëse”.
“Në vitin 2020, pas përfundimit të rishikimit tonë të brendshëm, JPMorgan Private Bank ndërmori një përditësim gjithëpërfshirës të kuadrit të saj të kontrollit të brendshëm, mbikëqyrjes dhe trajnimit për të siguruar që sjellja jonë tregtare, transparenca e çmimeve dhe parimet e pajtueshmërisë të vijojnë të respektohen”, tha banka amerikane.