Kreu i SPAK, Altin Dumani raportoi sot në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës, i zhvilluar në Kuvend, në lidhje me punën e Prokurorisë së Posaçme, por jo vetëm.
Dumani vendosi theksin në thirrjen ndaj institucioneve të tjera të bashkëpunojnë në luftën kundër korrupsionit.
“SPAK nuk mund të luftojë i vetëm, ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera, me qëllim të jemi të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit. Beteja kundër korrupsionit është një përpjekje e përbashkët morale dhe shoqërore. Vazhdojmë të jemi të përkushtuar, në dobi të një shoqërie më të drejtë”, tha kreu i SPAK.
Dumani listoi disa nga arritjet që SPAK ka bërë që prej krijimit, ndërsa theksoi se “vitin e fundit i është kushtuar vëmendje e veçantë të forcimit të bashkëpunimit me prokuroritë e rajonit, duke theksuar se kemi marrëdhënie mjaft të mira me prokuroritë e Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”.
“Një shtyllë e suksesit të Prokurorisë së Posaçme ka qenë bashkëpunimi kombëtar. Në fokusin tonë ka qenë krimi i organizuar që janë gjetur dhe zyrtarë që janë korruptuar. Nga viti 2020 deri në 2023 kemi krijuar 32 skuadra të përbashkëta hetimore, nga 25 që janë aktive, me 10 që janë krijuar në vitin 2023. Kemi marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe me shumë prokurori të BE-së, por edhe të rajonit”, tha ndër të tjera Dumani.
Më tej, Dumani tha se SPAK që nga krijimi ka sekuestruar 150 mln euro asete të ardhura nga veprimtari kriminale.
“Shpreh vlerësimin që Këshilli i Europës kanë dhënë për reformën e drejtësisë. Këto sfida janë themelore për shtetin e së drejtës dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve te drejtësia. SPAK është në vijën e parë të kësaj lufte, duke ndjekur një qasje të bazuar në transparencë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rezultate konkrete. Pavarësia institucioneve, kapacitet njerëzore dhe teknike kanë dhënë rezultate premtuese që janë përkthyer në çështje konkrete.
Krahas ushtrimit të ndjekjes penale për zyrtarë të lartë, SPAK ka në fokus edhe luftën kundër krimit të organizuar, ku falë bashkëpunimit me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, kemi bërë të mundur të godasim grupe të ndryshme kriminale, organizata të ndryshme kriminale të përfshirë në krime të dhunshme apo trafik droge. Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK deri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 mln euro.” – u shpreh ai.
Dumani theksoi se puna e institucionet që drejton nuk konsiston vetëm në pritjen e kallëzimeve, por ka qenë një punë proaktivë për vënien para përgjegjësis të kujtdo.
‘Ne nuk kemi qenë pasiv që rri e pret kallëzimet, por kemi qenë proaktivë duke ndërmarrë procedime penale me qëllim vënien para përgjegjësisë të kujtdo. Megjithëse hetojmë krimin e organizuar, masa e sigurisë arrest në burg në kërkesat zë vend 49% të totalit. Numri total i paraburgosurve është më pak 9% të të paraburgosurve në Shqipëri.’
Dumani vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, i cili ka qenë një faktor kyç në sukseset e hetimeve, veçanërisht kur hetimet janë fokusuar te lidhjet e krimit të organizuar me zyrtarët e korruptuar.
‘Kemi investuar dhe në mjet dhe teknologji bashkëkohor që janë sukses në hetim. Sukses bashkëpunimi ndërkombëtar, në hetimet tona kur ka qenë fokus krimi ka pasur dhe zyrtar të korruptuar pjesë të krimit. 2020-2023 janë krijuar 32 skuadra të përbashkëta hetimore. Kemi marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe, për çështje konkrete me shumicën e vendeve anëtare të BE-së. Në 2024 i është kushtuar vëmendje forcimit me vendet homologe. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi. Përpara kemi sfida. Prokuroria ka paraqitur disa shqetësime që shpresojnë të gjejmë zgjidhje ligjore. Sfida e para ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK besoj se kjo pavarësi është një ndër shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen e veprave penale.’
Dumani u ndal gjithashtu tek investimet në teknologji moderne dhe digjitalizimin si mjete të fuqishme për të luftuar korrupsionin dhe si të dobishme në procesin e hetimeve.
Ai theksoi se sfida kryesore mbetet ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK.
‘Shqetësim mungesa e statusit ligjor i prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit. Pas 9 vitesh kthehen në vendin më parë para se të bëheshin pjesë e SPAK. Kemi dhënë propozimet tona që të shihet dhënia e mundësisë që të kandidojnë të jenë pjesë e SPAK. Vlerësojmë për rritjen e pragut 500 euro. Çdo akt korruptiv mbi këtë shumë bën kompeten SPAK. Kërkojmë që ky marzh të rritet dhe të fokusohemi tek çështjet më të ndjeshme.’
Sipas Dumanit, lufta ndaj korrupsionit nuk është vetëm një detyrë ligjore, por edhe përpjekje morale e shoqërore.
“SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin. Ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit, shprehim gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar. Beteja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është vetëm detyrë ligjore, por përpjekje e përbashkët morale dhe shoqërore. Efektiviteti ynë dhe bashkëpunimi janë thelbësore për këtë luftë”, tha Dumani.
I pyetur nga Komisioni i Monitorimit të Këshillit të Europës, në aktivitetin e zhvilluar në parlament lidhur me bandat shqiptare në Ekuador dhe Mbretërinë e Bashkuar, Dumani theksoi se SPAK ka krijuar marrëveshje dhe ka ndihmuar në hetimet ndaj grupeve shqiptare në Ekuador, duke theksuar se edhe me vendet e Amerikës Latine, pavarësisht vështirësive, janë arritur kontakte dhe shkëmbime informacionesh.
Më tej, ai vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer me Mbretërinë e Bashkuar, duke nënvizuar se SPAK ka zhvilluar hetime të përbashkëta dhe ka krijuar ura komunikimi të vazhdueshme.
Dumani përmendi edhe një aspekt të rëndësishëm të këtij bashkëpunimi, konkretisht transferimin e produkteve të veprës penale nga shtetas shqiptarë të dënuar në Britaninë e Madhe, për të cilat SPAK po ndërmerr hetime pasurore dhe sekuestrimin e pasurive të fituara në mënyrë kriminale.
Dumani: Sa i takon Ekuadorit, e kemi konstatuar në hetimet që grupet shqiptare janë prezente në Ekuador. Kemi krijuar bashkëpunim me autoritetet e Ekuadorit. Në 2024 kemi konsoliduar një marrëveshje bashkëpunimi, kemi ndihmuar në hetimet që po bëjnë ndaj grupeve shqiptare siç po hetojmë bashkarisht. Edhe për shumë vende të tjera bashkëpunimi me Ekuadorin dhe vende të Amerikës Latine është vështirë. Por si SPAK ja kemi dalë të kemi kontakte dhe të kemi informacione e kemi bërë me shumë shtete të Amerikës Latine, Brazilin, dhe vende ku ka grupe shqiptarësh. Me Mbretërinë e Bashkuar kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Drejtori MCA ka qenë në zyrën time, por edhe unë e kam vizituar në Londër. Kemi marrëdhënie konstante bashkëpunimi me shkëmbime informacionesh, kemi skuadra të përbashkëta. Kemi hetime të përbashkëta. Me kënaqësi me autoritet të Mbretërisë së Bashkuar kemi vendosur ura komunikimi të cilat dita ditës po japin fryte. Një fushë tjetër ajo kur shtetas shqiptar të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar kanë transferuar produkte të veprës penale në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar për këtë kategori, SPAK të regjistrojë hetime pasurore për sekuestrimin e produkteve të veprës penale. Jemi në rrugë të mbarë. Kontaktet i kemi të shumta.