Grupi i armatosur libanez Hezbollah nuk ka ndërmend të dërgojë luftëtarë në Sirinë veriore për të mbështetur ushtrinë siriane atje, thanë për Reuters të hënën tre burime.
Një aleancë e luftëtarëve rebelë nisi një ofensivë të befasishme javën e kaluar në veri të Sirisë, duke përfshirë territorin e kontrolluar nga qeveria në provincat e Aleppos dhe Idlib dhe duke detyruar trupat qeveritare të largoheshin nga qyteti i Aleppos.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha të hënën se ushtria e Sirisë ishte e aftë të përballej me rebelët, por “grupet e rezistencës do japin ndihmën e tyre kurse Irani do sigurojë çdo mbështetje të nevojshme”, duke iu referuar grupeve të milicisë rajonale që Teherani mbështet.
Burimet i thanë Reuters se Hezbollahut nuk i ishte kërkuar ende të ndërhynte, duke shtuar se grupi nuk ishte gati të dërgonte forca në Siri në këtë fazë pas më shumë se një viti armiqësish kundër ushtrisë izraelite, duke përfshirë dy muaj luftime të rënda tokësore në jug të Libanit.
Hezbollahu nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se Irani po mbikëqyrte nga afër zhvillimet dhe është i gatshëm të ndihmojë qeverinë siriane në çdo mënyrë të mundshme, por se Teherani nuk kishte plane të tanishme për të ofruar mbështetje ushtarake, përfshirë vendosjen e personelit ushtarak në terren.
“Në takimet me zyrtarët sirianë, nuk ka pasur asnjë kërkesë për vendosjen e personelit ushtarak iranian,” tha zyrtari.