Vendosni fjalën kyçe....

Noka prezanton amendamentin: Minimum jetik 200 euro/ Ministrja Koçiu: Propozim aspak serioz


Në Kuvend, deputeti demokrat Flamur Noka paraqiti një amendament për të vendosur minimumin jetik në vlerën 200 euro, duke e cilësuar këtë si një mekanizëm të rëndësishëm ndihme për familjet në vështirësi ekonomike.

Ai e akuzoi qeverinë për mos ndërtimin e një shteti social, duke thënë: “Ju nuk po ndërtoni një shtet social, por një shtet shpirtzi. Minimumi jetik do të jetë 200 euro, nuk do të ketë asnjë familje që të jetë nën 200 euro, për të treguar si duhet të trajtohen shtresat në nevojë.”

“Ju nuk po ndërtoni një shtet social, por një shtet shpirtzi. Ndaj ne e kemi përcaktuar, Minimumi jetik do të jetë 200 euro, nuk do të ketë asnjë familje që të jetë nën 200 euro, për të treguar si duhet të trajtohen shtresat në nevojë nga një qeveri dhe një pushtet. Ju jeni të pashpirt, prandaj nuk e keni në konsideratë këtë shtresë”, tha Noka.

Në përgjigje, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, e quajti propozimin të paqartë dhe të kaluar, duke theksuar se një propozim i tillë nuk mund të miratohet pa u studiuar dhe vlerësuar. Ajo u kujtoi deputetëve demokratë se në vitin 2013 papunësia ishte në 16%, ndërkohë që sipas saj, qeveria aktuale ka punuar për rritjen e punësimit, pagave dhe pagës minimale.

“Pikë së pari doja të thosha  se është një propozim aspak serioz, që i ka kaluar koha me vakt dhe nuk mund të vendoset absolutisht apriori i pa studiuar dhe i pa vlerësuar.

Mjafton tu them se në 2013 ju e latë papunësinë në vlerën 16%, ndërkohë ne e adresuam. Politikat e mirëqenies sociale vazhdojnë të jenë të përqendruara në rritjen e punësim, rritjen e pagave dhe rritjen e pagës minimale”, tha Koçiu.