Administrata Tatimore njoftoi se është gati për të rimbursuar brenda dhjetorit tatimpaguesit, që ofrojnë shërbime profesionale dhe që kanë kryer pagesën e kësteve paraprake të tatim fitimit dhe tatim fitimit të thjeshtuar.
Tatimet njoftuan se bizneset duhet të kenë kujdes dhe të saktësojnë të dhënat e llogarive bankare në e-Filing deri në datën 10 dhjetor.
✅ Llogaria bankare duhet të jetë në monedhën Lek
✅ Llogaria bankare duhet të jetë aktive në një nga bankat e nivelit të dytë.
Kthimi i kësteve po bëhet pasi Gjykata Kushtetuese vendosi më 27 Qershor 2024 unanimisht rrëzimin e nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.
Gjykata Kushtetuese vendosi në mënyrë unanime pranimin e çështjes që është brenda juridiksionit të saj dhe rrëzoi diskriminimin e profesionistëve të lirë, duke u bazuar tek argumentet që paraqitën palët paditëse.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte që zbatimi do të niste për profesionistët e lirë nga 1 janari 2024 dhe për bizneset e tjera në vitin 2029.
Nga ky ligj do të prekeshin rreth 29 mijë profesionistë të lirë. Një pjesë e tyre parapaguan këstet e tatimit 15%, të cilat u përllogaritën në bazë të fitimeve të vitit 2023, duke shkaktuar dhe debate të shumta, pasi qeveria nuk njohu shpenzimet e zbritshme prej 30%.
Pas debateve të shumta që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, administrata tatimore rishikoi më 28 maj me ulje këstet e parapagimit të tatimit për profesionet e lira.
Në njoftimet e dërguara që më 28 Maj nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, rezultoi se për llogaritjen e tatimit për muajin Maj dhe muajt qershor-dhjetor, u zbritën shpenzimet 30%, të parashikuar në ligj për të vetëpunësuarit me xhiro deri 10 milionë lekë.
Pas korrigjimit kësti i parapagimit për muajin Prill mbeti i pandryshuar. Ndërsa detyrimi për muajin Maj dhe muajt e tjerë ishte 30% më i ulët.
Qeveria parashikonte që të arkëtonte 75 milionë euro nga 29 mijë profesionistët në vitin e parë të zbatimit të ligjit, bazuar në fitimet e deklaruara prej tyre në 2023-n.
Një pjesë e madhe e tyre nuk i kishin paguar ende këstet, sepse po prisnin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ata që i kanë paguar, tashmë do t’u kthehen mbrapsht shumat e paguara brenda muajit dhjetor. Llogaritet që nga tatimi i parapaguar janë arkëtuar rreth 5 mln euro.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor