Presidenti thellësisht jopopullor i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tronditi kombin të martën duke shpallur “ligjin ushtarak të urgjencës”, një lojë e rrezikshme pushteti që nisi një trazirë të jashtëzakonshme gjashtë orëshe dhe evokoi diktaturat ushtarake që shumë koreano-jugorë besonin se kishin përfunduar në koshin dhe librat e historisë.
Dekreti i Yoon, i bërë në një njoftim televiziv të martën vonë në mbrëmje, ndërsa ai akuzoi opozitën për aktivitete “antishtetërore”, bëri që mijëra protestues që kërkonin rikthim në rendin demokratike të mblidheshin jashtë Asamblesë Kombëtare, ku ligjvënësit u mblodhën urgjentisht për të përmbysur urdhrin. Me oficerët e policisë që formuan një barrikadë rreth kompleksit parlamentar, disa ligjvënës të opozitës madje u ngjitën nëpër dritare për të hyrë në dhomën e votimit.
Para agimit të mëngjesit të së mërkurës, Yoon tha se do e hiqte ligjin ushtarak në përputhje me votën parlamentare dhe do tërhiqte trupat nga rrugët.
Ai i mbylli fjalët e tij me një referencë të fundit për veprimtaritë “antishtetërore”. Rrëshqitja politike ishte e skajshme edhe për standardet e Koresë së Jugut, ku polarizimi i thellë dhe politika luftarake shpesh çojnë në lëvizje dhe kundërlëvizje dramatike të pushtetit.
Ndërsa kthimi i Yoon u miratua me shpejtësi nga kabineti i tij, tronditja dhe zemërimi që u shpërfaq në rrugë, ku protestuesit ndaluan fizikisht automjetet ushtarake dhe u përballën me ushtarë që formuan një barrikadë rreth Asamblesë Kombëtare, ka të ngjarë të mbeten.
Dhe masa ka të ngjarë të kërcënojë të ardhmen politike të Yoon për shkak të rëndësisë historike që mbart një shpallje e ligjit ushtarak në Korenë e Jugut.
“Ai provoi një lëvizje të skajshme që keqkuptoi thellësisht kulturën politike koreane”, tha Darcie Draudt-Véjares, një eksperte në politikën e Koresë së Jugut në Carnegie Endowment for International Peace. “Kundërshtimi i shpejtë i Kuvendit, duke përfshirë edhe anëtarët e partisë së tij, e ka gjymtuar autoritetin e tij si udhëheqës për demokracinë.”
Ligji ushtarak u vendos për herë të fundit në Korenë e Jugut në vitin 1980, përpara se vendi të kalonte nga një diktaturë ushtarake në një demokraci. Më pas, forcat speciale shtypën me dhunë aktivistët pro-demokracisë, kryesisht studentë të universitetit, në qytetin Gwangju, duke vrarë rreth 200 prej tyre.
Njoftimi tronditës i Yoon erdhi ndërsa zhgënjimi i tij u rrit me Kuvendin e mbizotëruar nga opozita, për të cilin ai pretendoi se po paralizonte qeverinë.
Ai akuzoi Partinë Demokratike kryesore të opozitës për veprimtari “antishtet”, duke përfshirë një numër “të paparë” të mocioneve të shkarkimit, 22 të tilla, kundër zyrtarëve qeveritarë. Ai tha se donte të “zhdukte forcat pro-koreanoveriore”, pa përmendur ndonjë kërcënim specifik nga Pheniani.
Një dekret i lëshuar në orën 23:00 të së martës nga Gjenerali i ushtrisë Park An-soo, i cili ishte emëruar komandanti i gjendjes së jashtëzakonshme, ndaloi të gjitha vperimtaritë politike, mitingjet dhe demonstratat. Ai gjithashtu ndaloi veprimet që përpiqen të “përmbysin sistemin liberal demokratik” dhe i vuri të gjitha mediat audiovizive dhe gazetat nën kontrollin e ligjit ushtarak, megjithëse nuk kishte asnjë shenjë të kësaj në mediat e Koresë së Jugut.
Ndërsa forcat ushtarake dhe oficerët e policisë zbritën në kompleksin e Asamblesë Kombëtare në lagjen Yeouido të Seulit, që ndodhet në një ishull në lumin që përshkon kryeqytetin, qytetarët e zemëruar me njoftimin e Yoon, dolën në rrugë duke brohoritur, “Fund ligjit ushtarak, të rrëzojmë diktaturën!”
“Isha i tronditur”, tha Kim Song-won, 60 vjeç, i cili shkoi në Asamblenë Kombëtare me gruan dhe vajzën e tij kur dëgjoi se ishte shpallur ligji ushtarak.
“Mendova se shpallja e gjendjes ushtarake ishte një padrejtësi, kështu që dola këtu”, tha ai në orën 1 të mëngjesit në një natë të ftohtë të Seulit.
I rrethuar nga një turmë e dendur protestuesish, ai shtoi se ndjehej shumë mirë që shumë të tjerë dolën në rrugë pasi dëgjuan lajmin.
Udhëheqësit e partive liberale dhe konservatore kritikuan me shpejtësi deklaratën e Yoon, me kryetarin e partisë së Pushtetit Popullor të presidentit, që e quajti vendimin “të gabuar”.
Shumica e ligjvënësve iu përgjigjën thirrjes së kryetarit Woo Won-shik për të marrë pjesë në një seancë të menjëhershme në Asamblenë Kombëtare për t’iu përgjigjur vendimit të Yoon. Ligjvënësit u përpoqën të kalonin oficerët dhe protestuesit, me disa që u përpoqën të ngjiteshin nga dritaret për të hyrë në seancë, raportoi media lokale.
Më pak se tre orë pas njoftimit të Yoon, 190 nga 300 ligjvënësit ishin brenda sallës së Asamblesë Kombëtare dhe të gjithë 190 votuan për revokimin e shpalljes së ligjit ushtarak.
Sipas ligjit, presidenti duhet të pajtohet me vendimin e parlamentit – dhe Yoon e bëri këtë para orës 4:30 të mëngjesit të së mërkurës.
Presidenti amerikan Biden u informua për gjendjen në Korenë e Jugut, sipas një zyrtari të lartë të administratës që po udhëton me presidentin në Angola.
“Ne kemi qenë në kontakt me homologët tanë në Korenë e Jugut, duke u përpjekur të mësojmë më shumë. Ne nuk u njoftuam paraprakisht dhe jemi seriozisht të shqetësuar nga ajo që po shohim të shpaloset, “tha zyrtari, duke përdorur shkurtesën zyrtare për Korenë e Jugut.
Zëvendës Sekretari i Shtetit Kurt Campbell tha në një takim në Departamentin e Shtetit të martën se Uashingtoni po i shikonte ngjarjet në vendin e tij aleat me “shqetësim të madh” dhe shprehu mbështetje për Korenë e Jugut.
“Ne qëndrojmë pranë Koresë në kohën e tyre të pasigurisë. Dua gjithashtu të nënvizoj se ne kemi çdo shpresë dhe pritshmëri që çdo mosmarrëveshje politike do zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”, tha Campbell.
Lëvizja e Yoon ngre pyetje në lidhje me të ardhmen e presidencës së tij të diskutueshme dhe mënyrën e trajtimit të sistemit demokratik të vendit.
Ndërsa avionët ushtarakë fluturonin rreth Asamblesë Kombëtare dhe ushtarët frenuan protestuesit, analistët dhe njerëzit e thjeshtë pyetën: Çfarë do ndodhë me demokracinë e Koresë së Jugut tani?
“Çdo përdorim i forcës kundër qytetarëve do ishte një hap tragjik pas, për një komb që ka punuar kaq shumë për të kapërcyer autoritarizmin,” paralajmëroi Danny Russel, nënkryetar i Institutit të Politikave të Azisë dhe ish-ndihmës Sekretar i Shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin, përpara se Yoon njoftonte tërheqjen e ligjit ushtarak.
Yoon, i cili mori detyrën në vitin 2022 me diferencën më të ngushtë në historinë demokratike të Koresë së Jugut, ka luftuar për të zgjeruar bazën e tij politike si president dhe është zhytur në skandale politike që përfshijnë gruan e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë në partinë e tij. Javët e fundit, ai është përfshirë në një luftë buxhetore me Partinë Demokratike dhe vlerësimi i tij i pëlqimit ra në nivelin më të ulët prej 17 përqind.
Në njoftimin e tij të martën, Yoon e quajti Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga Demokratët një “strofkë kriminelësh” që “po përpiqet të paralizojë” qeverinë.
Partia Demokratike kishte kohë që bënte thirrje për shkarkimin e Yoon, por nuk kishte arritur të fitonte mbështetjen publike që çoi në rrëzimin e presidentes konservatore Park Geun-hye në vitin 2016. Në atë kohë, protesta të mëdha paqësore me qirinj vijuan për muaj të tërë derisa ajo u fajësua pas një skandali korrupsioni.
“Tani, ato thirrje për shkarkimin e Yoon ka të ngjarë të bëhen më të forta dhe shumë në publikun e Koresë së Jugut do gjykojnë se presidenti ka shkuar shumë larg”, tha Andrew Yeo, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Studime të Politikave të Azisë në Institutin Brookings.
“Duke parë nga e ardhmja, thjesht nuk e di nëse presidenti ka gërmuar një gropë nga e cila do të jetë e vështirë të dalë”, tha Yeo.
“Kjo është me të vërtetë një lojë e brendshme dhe është një bast i madh.”
Protesta publike shpërtheu menjëherë pas dekretit. Në mediat sociale, koreano-jugorët qarkulluan pamje të Yoon të transpozuara nën një portret të Chun Doo-hëan, një ish-burrë i përbuzur që mori pushtetin në një grusht shteti në vitin 1979 dhe drejtoi një qeveri brutale, të udhëhequr nga ushtria derisa u rrëzua përfundimisht nga një kryengritje demokratike në vitin 1987.
Pasi Chun shpalli ligjin ushtarak, studentët në qytetin jugperëndimor të Gëangju dolën në rrugë për të bërë thirrje për demokraci. Protestat e tyre u shtypën me dhunë nga ushtria e Koresë së Jugut me mbështetjen e SHBA-së: qindra civilë vdiqën dhe mijëra u plagosën në atë që tani quhet gjerësisht masakra e Gëangjut.
Deklarata e Yoon për ligjin ushtarak ishte një kujtesë rrëqethëse e asaj periudhe, tha Shin Bong-ki, një profesor i shkollës juridike të Universitetit Kombëtar Kyungpook, për kanalin televiziv YTN.
“Këto ligje ushtarake dhe urdhra emergjence kishin ekzistuar vetëm në librat e historisë, por ato po shpalosen në vitin 2024,” tha Shin.
“Kur dëgjova lajmin, u drodha.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani