Vendosni fjalën kyçe....

Do ekzekutonte Inez Hajrullën dhe shokun e tij për hakmarrje, SPAK çon për gjykim Amarildo Nikollin


SPAK dërgon për gjykim dosjen ndaj Amarildo Nikolli Xhanej, i cili akuzohet se bashkë me 3 të tjerë po planifikonin vrasjen e Ervis Matodashaj dhe të fortit të Vlorës Inez Hajrulla. Hetimet e SPAK por edhe dëshmia e Amarildo Nikollit zbuloi se krimi do të kryhej për hakmarrje dhe për marrjen në kontroll të lojërave të fatit.

Porositësi i atentatit sipas SPAK është Leonard Luzi, i cili u ekstradua nga Spanja më 9 nëntor. Luzi ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, ku Amarildo  Nikolli do të ishte ekzekutori, si dhe të pandehurit Muharem Koroveshi dhe Erio Zejno, në rolin e ndihmësit.

Koroveshi, dhe Erio Zejno, kanë dërguar armët në banesën e Amarildo Nikolli në Vlorë, e kanë ndihmuar në terren për lokalizimin e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës, si dhe do të ndihmonin ekzekutorin, në largimin nga vendi i ngjarjes, nëse vrasja do të kryhej.

Por atentati ndaj Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullës, nuk u realizua, pasi në datën 07.08.2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, në qytetin e Vlorës, gjatë kontrollit fizik kryer ndaj Amarildo Nikolli, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një pistoletë e markës Pietro Beretta, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes.

Ka rezultuar se ditën e arrestimit të tij,  Amarildo Nikolli, kishte dalë pikërisht për të finalizuar krimin e porositur prej të Leonard Luzi. Pas arrestimit Amarildo Nikolli vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë duke përfituar statusin e te penduarit.