Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, ka reaguar sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së lidhur me hetimin e SPAK për fshehje pasurie, në lidhje me një apartament. Dogjani theksoi se jeton në këtë apartament me fëmijët e tij prej 20 vitesh dhe e cilësoi këtë hetim si një sulm të dirigjuar ndaj tij, me qëllim për të njollosur PD-në.
Ai akuzoi SPAK për largimin nga hetimi i korrupsionit qeveritar dhe për ndjekjen e procedurave të pafundme ndaj opozitës pa asnjë provë. Dogjani tregoi se ka denoncuar një grabitje të pronës publike në qendër të Tiranës, duke shtuar se ndërtuesi i përfshirë është i lidhur me politikën e qeverisë.
Sipas Dogjanit, ky hetim është një përpjekje për të dëmtuar opozitën dhe për të krijuar një barazim të padrejtë mes krimeve të qeverisë dhe opozitës.
Ai u shpreh se hetimi ndaj tij është i motivuar politikisht, duke theksuar se nuk do të ndalet në denoncimin e abuzimeve, pavarësisht përpjekjeve për ta intimiduar. Dogjani i bëri thirrje SPAK-ut që të merret me prova dhe të mos veprojë sipas urdhërave politikë.
“Jetoj me tre fëmijët e mi në atë shtëpi që 20 vite. Shikoni ku ka rënë niveli i SPAK-ut, në vend që të merret me korrupsionin e qeverisë, me vilat, fillon ndaj meje një procedim si deputet i opozitës, pas asnjë lloj prove.
Unë kam denoncuar grabitjen e pronës publike në mes të kryeqytetit para pallatit tonë nga ky ndërtues që është dirigjuar nga Veliaj e Rama për të bërë kallëzim në SPAK.
Pas 20 vitesh duke qenë se unë kam kërkuar interpelancë me Edi Ramën pikërisht për këtë pronë dhe duke qenë se ka lidhje me një deputet të PS-së e kanë dirigjuar për të bërë kallëzim për mua, për të më hetuar për fshehje të pasurisë.
Është e dirigjuar ndaj meje për të bërë opozitën pis. Për të na bërë të gjithë njësoj. Unë e kallëzoj se ka vjedhur pronën dhe vetë Kadastra ia anulon legalizimin, por procedohem unë. Mua më motivon më shumë dhe do vazhdoj të denoncoj çdo ditë dhe nuk më frikësojnë dhe nuk më ndalojnë dot as Edi Rama askush për ngritjen e zërin. Do ta bëj dhe duhet ta bëni të gjithë që SPAK-u të merret me provën, të mos marrë urdhra politikë”, tha Dogjani.