Vendosni fjalën kyçe....

Ofensiva rebele rrit ndikimin e Turqisë në Siri, a po rrezikon Erdogan marrëdhëniet me Trump-in e Putin-in


Pasi forcat e opozitës pushtuan qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Aleppo në një ofensivë të papritur, fotografitë treguan një person duke valëvitur një flamur turk mbi murin e kështjellës mesjetare.

Dukej se ishte akt i një individi të vetmuar, por pamja u kap nga mediat pro-qeveritare turke si një simbol i ndikimit që Ankaraja ka pasur prej kohësh në luftën civile të fqinjit të saj.

Lufta 13-vjeçare u rindez në fund të javës së kaluar kur rebelët, të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), u zhvendosën në Aleppo të premten, duke hasur pak rezistencë. Fraksionet e mbështetura nga Turqia, të cilat po bashkërendojnë me HTS, filluan më pas një sulm të dielën në qytetin verior të rëndësishëm strategjik të Tel Rifaat, i kontrolluar nga forcat kurde siriane.

Përparimi dramatik i rebelëve ka vënë në qendër të vëmendjes rolin e Turqisë në shtetin e shkatërruar arab, ku për vite ka qenë mbështetësi kryesor i rebelëve që u ngritën kundër presidentit Bashar al-Assad në 2011.

Ndryshe nga fraksionet e tjera rebele siriane, HTS nuk mbështetet drejtpërdrejt nga Turqia. Por analistët thonë se ofensiva nuk ka gjasa të ketë ndodhur pa miratimin e Ankarasë dhe mund të forcojë ndikimin e Presidentit Erdogan në çdo negociatë të ardhshme me Assadin dhe mbështetësit e tij, Rusinë dhe Iranin.

“Pa dritën jeshile të Turqisë, ky operacion nuk do ishte kurrë i mundur”, tha Gönül Tol, drejtore në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington dhe autore e një libri mbi rolin e Turqisë në luftën siriane.

“Turqia pa një mundësi për të ndryshuar dinamikën në terren, për të dobësuar kontrollin e Assadit dhe për t’i treguar administratës së ardhshme amerikane se mund të frenojë ndikimin iranian në mënyrë efektive,” tha ajo.

Një burrë var një flamur turk mbi muret e kalasë në qytetin sirian të Alepos

As Erdogan dhe as zyrtarë të tjerë nuk e kanë konfirmuar përfshirjen turke, me ministrin e Jashtëm Hakan Fidan të hënën që u tha gazetarëve se “do ishte e gabuar të shpjegohen ngjarjet në Siri si një ndërhyrje e huaj”.

Por ofensiva i ka dhënë Turqisë një mundësi për të mobilizuar fraksionet aleate për të zmbrapsur forcat kurde që ajo i konsideron si një zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup separatist që ka luftuar kundër shtetit turk për dekada. Parandalimi i grumbullimit të militantëve kurdë në kufirin e Turqisë ka qenë motivi kryesor për vendimin e Erdoganit për të ndërhyrë në Siri vitet e fundit.

Para ofensivës rebele, Ankaraja kishte shprehur zhgënjimin e thellë me kundërshtimin e Asadit për të negociuar me opozitën siriane. Damasku kundërshtoi propozimet e rralla të Erdoganit këtë vit për të ndrequr lidhjet që ishin ndërprerë pasi Turqia u rreshtua në anën e rebelëve në vitin 2011.

Turqia është mbrojtëse e Idlibit, provincës veriperëndimore siriane që është bastioni i HTS. Ajo gjithashtu ka dislokuar mijëra trupa turke dhe fraksione rebele të armatosura dhe të stërvitura, të njohura kolektivisht si Ushtria Kombëtare Siriane, në pjesë të Sirisë veriperëndimore dhe veriore që janë nën kontrollin turk.

Ndërsa etiketon HTS si një grup terrorist, Turqia luan një rol jetik për të siguruar mbijetesën e enklavës së rebelëve. HTS dhe SNA, të cilat janë përplasur më parë me njëri-tjetrin, janë bashkërenduar për ofensivën e fundit, thonë analistët.

Një poster në aeroportin e Alepos që përshkruan presidentin sirian Bashar al-Assad dhe vëllain e tij Maher

Një nga synimet e Turqisë ka qenë të bëjë presion ndaj SHBA-së për t’i dhënë fund mbështetjes së saj për Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët në Sirinë verilindore, një burim i përhershëm fërkimi midis aleatëve të NATO-s. SHBA-ja ka mbështetur SDF-në si partnerin e saj kryesor sirian në betejën kundër ISIS-it dhe ka rreth 900 trupa të dislokuara në Siri.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ishte dashamirës ndaj kërkesave të Erdoganit gjatë mandatit të tij të parë, por administrata e tij e ardhshme mund ta shohë tani tërheqjen e trupave amerikane si një lëshim për Iranin.

Erdogan ka krijuar gjithashtu një partneritet të ndërlikaur në Siri me presidentin rus Putin, pavarësisht se dy palët mbështesin anët e kundërta në luftë. Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje armëpushimi për Idlib në mars 2020, e cila solli një dukje stabiliteti në zonë dhe të dyja do jenë thelbësore për të përcaktuar se çfarë do ndodhë më pas.

“Ne kishim këtë përfytyrim të turqve se ata zakonisht janë të vëmendshëm ndaj interesave ruse,” tha Hanna Notte, drejtore për Euroazinë në Qendrën “James Martin për Studime”.

“Unë nuk mendoj se Putini është shumë i kënaqur me këtë, por mbase të dy nuk mendonin se kjo ofensivë do mbërrinte kaq larg.”

Luftëtarët rebelë pozojnë për një foto me një helikopter të ushtrisë në asfalt në aeroportin ushtarak Nayrab në qytetin sirian të Alepos

E vetëdijshme për veprimin e saj ekuilibrues me Moskën, Ankaraja është përmbajtur nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në luftimet e fundit. Can Acun, një studiues i politikës së jashtme në një oganizatë me qendër në Ankara, tha se Turqia madje e frenoi opozitën që të mos përgjigjej më shpejt ndaj sulmeve të fundit të forcave të qeverisë siriane dhe avionëve luftarakë rusë në Idlib.

Por në javët e fundit, Erdogan ringjalli kërcënimet e tij për një ofensivë të re të drejtpërdrejtë ushtarake turke kundër SDF.

“Vullneti ynë për të zgjidhur terrorizmin në burimin e tij është më i fortë se kurrë,” tha ai të shtunën.

“Ne nuk do ngurrojmë të ndërmarrim hapa të rinj.”

Ilham Ahmed i Këshillit Demokratik Sirian me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, krahu politik i SDF-së, tha në një deklaratë se komunitetet kurde dhe grupet e tjera po përballeshin me një gjendje gjithnjë e më të pasigurt në Sirinë veriore pas ofensivës.

Erdogan ka premtuar gjithashtu se 3.2 milionë sirianë që kërkuan strehim në Turqi, një çështje e vështirë politike që duket se i ka kushtuar votat e partisë së tij Drejtësi dhe Zhvillim në zgjedhjet lokale të këtij viti, do kthehen në vendin e tyre.

Nënkryetari i tij, Cevdet Yılmaz, u tha anëtarëve të partisë në pushtet të dielën se Turqia tani pret një zgjidhje politike që do t’i shohë refugjatët të kthehen në shtëpi.

Skena pas një shpërthimi në qytetin e Idlib

Por një ish-diplomat turk, duke folur në kushte anonimiteti, paralajmëroi se Turqia mund të përballet me një krizë të re refugjatësh. Gati 50,000 njerëz janë zhvendosur në përleshjet e fundit, sipas një zyrtari të OKB-së të dielën.

“Krijimi i një narrative heroike se Turqia, ose përfaqësuesit e saj, mund të marrin kontrollin e Alepos, ka për qëllim ndjenjat nacionaliste, por ne mund të zhytemi në baltë”, tha diplomati, duke shtuar se Turqia rrezikoi të dëmtonte marrëdhëniet e saj si me perëndimin ashtu edhe me Rusinë.

Fidan tha se Turqia nuk dëshiron që lufta të përshkallëzohet dhe të zhvendosë më shumë njerëz dhe ai bëri thirrje përsëri që Irani dhe Rusia të nxisin dialogun midis Damaskut dhe opozitës.

Por koha për bisedime tani mund të humbasë, tha diplomati: “Kjo është një fantazi politike. Ne as nuk e dimë nëse Assad ka ende autoritetin politik për të përmbushur pritshmëritë e Turqisë kur duket se ai nuk ka as ushtri.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani