Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni në Elbasan, 31-vjeçarit i sekuestrohen 136 mijë euro pasuri


Një 31-vjeçari në Elbasan i janë sekuestruar pasuri me vlerë 136 mijë euro. Bëhet fjalë për një apartament në Durrës e 3 automjete.

I riu me iniciale M.A. është ndaluar si pjesë e operacionit “Resource” pasi ka qenë në kërkim.

Ai dyshohet se e ka vënë pasurinë përmes veprimtarisë kriminale. 31-vjeçari ka qenë më herët i ndaluar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Resource”.

Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Resource”. Si rezultat i operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, u kap dhe u ndalua shtetasi M. A., 31 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, u bë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi. 31-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”