Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrohen 140 kg kanabis në Shkodër, arrestohet pronari i banesës dhe 3 familjarët e tij


Policia ka zbuluar një “shtëpi bari” në një banesë në fshatin Naraç, në Vaun e Dejës, ku ka sekuestruar 140 kg cannabis sativa të paketuar në boçe.

Gjatë kontrollit, janë gjetur edhe pajisje që dyshohet të jenë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan së bashku me lëndën narkotike dhe një mjet zetor me rimorkio.

Në kuadër të operacionit “Naraç”, janë arrestuar në flagrancë katër persona, përfshirë pronarin e banesës, Zef Shtjefni, djalin e tij Gent Shtjefni, dhe dy nipërit Dritan dhe David Shtjefni. Ata akuzohen për kultivimin dhe prodhimin e narkotikëve, si dhe për vjedhjen e energjisë elektrike.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Naraç”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen 140 kg cannabis sativa në trajtë boçesh, që u gjetën në një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje të furnizuara me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Arrestohen në flagrancë 4 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale (pronari i banesës dhe tre familjarë të tij).

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës dhe me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Naraç, bashkia Vau i Dejës, ishte prodhuar lëndë narkotike në një banesë, ushtruan kontroll në kuadër të operacionit policor të koduar “Naraç”.

Gjatë kontrollit, në banesën e shtetasit Z. Sh., në fshatin Naraç, shërbimet e Policisë gjetën rreth 140 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa në trajtë boçesh. Nga verifikimet e kryera rezultoi se në këtë banesë kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Gjithashtu, në një ambient në afërsi të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për kultivimin e bimëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me lëndën narkotike dhe 1 mjet zetor me rimorkio.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit Z. Sh., 61 vjeç, G. Sh., 38 vjeç (babë e bir), D. Sh., 35 vjeç dhe D. Sh. 42 vjeç, vëllezër (nipat e shtetasit Z. Sh.), të gjithë banues në fshatin Naraç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.