Vendosni fjalën kyçe....

Tucker Carlson kthehet në Rusi, interviston Lavrovin


Personaliteti konservator i medias amerikane, Tucker Carlson, tha të mërkurën se ishte kthyer në Rusi për të intervistuar ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

Carlson, një mbështetës i zëshëm i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, intervistoi presidentin rus Putin në Moskë në shkurt, intervista e tij e parë me një gazetar amerikan që para pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Duke u shfaqur jashtë Kremlinit në një video në faqen e tij të internetit, Carlson tha të mërkurën se do pyeste Lavrovin nëse SHBA-ja dhe Rusia po shkojnë drejt një lufte të mundshme bërthamore dhe nëse Moska mendon se Trump do i japë fund luftës në Ukrainë.

Prezantuesi i njohur tha se intervista me Lavrovin do transmetohej “shumë shpejt”, pa specifikuar një datë.

Komentatorët e medias amerikane kritikuan gjerësisht trajtimin e intervistës së Putinit nga Carlson, duke thënë se Carlson e la udhëheqësin e Kremlinit të kontrollonte axhendën dhe nuk arriti ta ngacmojë atë për tema të rëndësishme siç janë akuzat për krime lufte në Ukrainë.

Carlson nuk tha se ku do transmetohej intervista e Lavrov. Intervista dyorëshe e Putinit u transmetua në platformën e internetit të Carlson dhe faqen e mediave sociale X.

Trump, i cili ka kritikuar mbështetjen e SHBA-së për Kievin nën presidentin Biden, premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë shpejt, pa dhënë hollësi për planet e tij. Presidenti i zgjedhur ka thënë se do emërojë Gjenerallejtnantin në pension, Keith Kellogg, si të dërguar special për Ukrainën.

Kellogg ka propozuar ngrirjen e linjave të betejës dhe detyrimin e Kievit dhe Moskës për të negociuar, ka raportuar Reuters.