Kryetari i Komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe në një deklaratë për mediat u ndal edhe tek vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani.
Braçe tha se kjo ngjarje është një model tipik dezinformimi, që sipas tij po vazhdon ende.
Për qëllime politike, Braçe thotë se janë atakuar qëllimisht SPAK e BKH.
“Ngjarja në Tiranë pranë një shkolle ka sjellë në vëmendje këtë gjë. Prokuroria po bën çfarë është e mundur për ti shkuar në fund krimit.
Nisur nga informacionet që u ndanë i kemi kërkuar prokurorisë të hetojë deri në fund një rast model dezinformimi që i është bashkëngjitur atij krimi.
Një rast shumë i qartë dezinformimi me synim të qartë politik që vazhdon. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti, të dezinformimit.
Në raport me SPAK, BKH dhe me atakun e drejtpërdrejtë apo përfshirjen në ngjarje të këtyre institucioneve”, tha Braçe.
Braçe ngriti shqetësimin edhe të numrave të celularëve që përdorin fëmijët, duke qenë se nuk janë në emër të tyre.
Ai tha se është shumë e vështirë identifikimi dhe më pas mbrojtja e kësaj kategori në komunikimet me fëmijë apo lundrimin në faqe të ndryshme në internet.
“Si sot, edhe në seanca tjera kemi verifikuar që numrat e telefonit që përdorin fëmijët nuk janë në emrat e tyre.
Institucionet kanë vështirësi për t’i identifikuar dhe për të mbrojtur komunikime të fëmijëve apo me faqe interneti apo rrjete sociale si TikTok, e vështirë për të mbrojtur këtë kategori.
Numrin e blen mami dhe babi. Sot na u sugjerua identifikimi i këtyre numrave, edhe kur e ble djali për babin apo vajzën, por të thotë kush e përdor dhe të këtë kufizime në internet për ato fëmijë”, tha Braçe.