Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri deklaroi në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv se kërkesa e opozitës për qeveri teknike nuk ka asnjë bazë politike.
“Kjo është një dëshirë politike e pabazuar as në realitetin politikë dhe as në ligj. S’ka ndodhur kurrë që një opozita kërkon qeveri teknike dhe të bëhet qeveri teknike. Ato bëhen vetëm kur ka kriza të mëdha financiare, ose si u bë në ‘97. Por nuk shoh asnjë arsye për tu bërë. Është dëshirë për t’i thënë kundërshtarit, ik ti nga karrigia se dua që të vijë unë. Kjo s’ka as bazë politikë. Nuk është fare pjesë e agjendës së PS’, tha ai.
Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ai tha se deri më tani nuk ka një dakordësi me opozitën.
Gjiknuri u shpreh se mund të shihet edhe mundësia e postës ekspres, por kjo sipas tij do të kishte një kosto të madhe për qeverinë.
“Opozita nuk ka pasur ndonjë reagim, pavarësisht se Berisha tha se ata ishin të gatshëm që të ndryshojnë kodin zgjedhor. Por, akoma nuk ka një dakordësi, kjo do ta vërë në rrezik votën e emigrantëve në këto kushte, ose do të bëhet me post ekspres që do ta marr përsipër qeveria, por do të kishte një kosto të madhe, mbi 50 euro për zarf”, tha Gjiknuri.