Inskenim e quajti deputetja e PD-së Zhupa atë që ndodhi në seancën e sotme në Kuvend, ku deputetja e PD-së u përplas me Braçen e PS-së dhe më pas socialistët e braktisën seancën me Spiropalin që e ndërpreu.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, demokratja tha se ajo që ndodhi ishte një shfaqje për të shmangur interpelancën me ministren e Arsimit Manastirliu.
“Ajo që ndodhi sot është skenim për të mos lejuar interpelancën, për të mos lejuar Manastirliun të fliste aty gëk-mëk sepse vetëm 5% e shkollave kanë lidhje interneti, pse shkollat tona janë kthyer në çerdhe krimi, s’kishte arsye për të thënë pse dalin pedagogët në Sky dhe për t’iu shmangur kriminalizmit të arsimit, krijuan inskenim që u indinjuan për fjalorin e përdorur ndaj Braçes. Nuk lejoj asnjë burrë të më ofendojë, jo më burrec. Gjithçka që u tha në Kuvend është publike, i qëndroj fjalëve të mia, i qëndroj 100% asaj që thashë dhe mbi të gjitha i qëndroj akuzave me fakte e prove për dështimin e kësaj mazhorance në arsim. Asaj interpelance dhe fjalori dhe asaj që i thashë Braçes, mos të hajë shumë miza. Ne i qëndrojmë përballë dhe nuk trembemi jo nga zoti Braçe por nga askush tjetër. Nëse ka një fjalor për t’u dënuar është fjalori i z. Rama dhe i Braçes. që na ka thënë të gjithave plehra. Të marrin masa për z. Rama e Braçen, pastaj për ne të tjerët”, tha Zhupa.