Vendosni fjalën kyçe....

Macron në kërkim të kryeministrit të ri


Presidenti francez Macron u takua të enjten me aleatët dhe krerët e parlamentit teksa kërkon të emërojë me shpejtësi një kryeministër të ri për të zëvendësuar Michel Barnier, i cili zyrtarisht dha dorëheqjen një ditë pasi ligjvënësit e opozitës votuan për rrëzimin e qeverisë së tij.

Barnier, një konservator veteran, të cilin Macron e emëroi kryeministër mezi tre muaj më parë, u bë kryeministri me mandatin më të shkurtër në historinë moderne franceze, pasi ai nuk arriti të gjente mbështetje të mjaftueshme për një buxhet që synonte zbutjen e një deficiti të gjerë.

Elysee tha se Macron i kishte kërkuar Barnier dhe qeverisë së tij që të qëndronin në detyrë derisa të formohet një qeveri e re.

Tre burime i thanë Reuters të mërkurën se Macron synonte të emëronte një zëvendësues me shpejtësi, me një që thoshte se donte ta bënte këtë përpara një ceremonie të shtunën për të rihapur katedralen Notre-Dame, e rinovuar pas një zjarri shkatërrues. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, është në mesin e krerëve botërorë që pritet të marrin pjesë.

Aleatët në kampin e Macron iu bashkuan korit duke kërkuar veprim të shpejtë. Pas zgjedhjeve të parakohshme në fund të qershorit dhe fillimit të korrikut, Macronit iu deshën gati dy muaj për të emëruar Barnier.

“Unë rekomandoj që ai të vijojë shpejt me emërimin e një kryeministri, është e rëndësishme, ne nuk duhet t’i lëmë gjërat në ajër,” tha presidenti i Asamblesë Kombëtare Yael Braun-Pivet për radion France Inter përpara se të takohej me Macron rreth mesditës.

Franca tani rrezikon ta mbyllë vitin pa një qeveri të qëndrueshme ose një buxhet të vitit 2025, megjithëse kushtetuta lejon masa të veçanta që do shmangnin një mbyllje të qeverisë në stilin amerikan.

Presidenti ka drekuar me Francois Bayrou, emri i të cilit është cituar nga mediat franceze si pasardhësi i mundshëm i Barnier, raportoi gazeta Le Parisien. Një ndihmës i Bayrou nuk iu përgjigj një kërkese për koment.