Këngëtari Arkimed Lushaj i njohur me nofkën Stresi është ndëshkuar nga Policia Rrugore me 25 mijë lekë të reja gjobë si dhe i janë hequr 10 pikë nga leja e drejtimit.
Ai hodhi një video në rrjetet sociale duke parakaluar në krah të kundërt ndërsa e shoqëronte videon me mbishkrimin: “Me mu nuk ekziston trafiku, Lale”.
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet automjeti me drejtues shtetasin A. L., duke parakaluar një varg automjetesh në sensin e kundërt të lëvizjes dhe duke përdorur dritat verbuese në zonë të banuar, në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, ju informojmë se:
Sektori i Policisë Rrugore i ka vënë drejtuesit të automjetit, shtetasit A. L., masën administrative 25 000 lekë, bazuar në nenet 146 pika 16, 141 pika 10, 146 pika 10 dhe 127 pika 3, të Kodit Rrugor. Gjithashtu, i janë zbritur 10 pikë nga leja e drejtimit.” – thuhet në njoftimin e Policisë Rrugore.