Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë të fundit, ka shprehur vendosmërinë e tij për të mbrojtur kauzat që beson të drejta, pavarësisht sfidave dhe skepticizmit.
Ai nënvizoi se angazhimi dhe këmbëngulja janë thelbësore për t’u rikthyer në politikë, ndërsa bëri një propozim të rrallë për të ardhmen pas fitimit të zgjedhjeve.
Berisha theksoi se rëndësia e një kauze qëndron tek drejtësia e saj dhe jo tek numrat, duke kujtuar momentin kur ai vendosi të fliste edhe përpara një grupi të vogël njerëzish.
Duke iu referuar sfidave të kaluara, Berisha e përshkroi rikthimin e tij politik si një proces i natyrshëm dhe më i lehtë, duke përdorur metaforën e “larjes në ujëra” për përvojën e tij.
Ai premtoi se, pas fitores së zgjedhjeve, do të thërrasë një votë të përgjithshme për zgjedhjen e kryeministrit, një hap që e konsideroi të rrallë dhe demokratik. Berisha ftoi publikisht të gjitha partitë që kanë kritikuar udhëheqjen e tij të marrin pjesë në këtë proces dhe të kandidojnë.
Berisha u shpreh i hapur ndaj konkurrentëve dhe skeptikëve, duke thënë: “Për këto parti që thonë nuk jemi dakord me Sali Berishën, hajde urdhëro, kandido.
“Kundër realitetit nuk mund të ngrihesh dot, ose bëhesh donkishot. Je i destinuar të dështosh në këtë rast. Kur kam dalë atë ditë nga shtëpia ime për të shkuar në Rogner, më thonë, po sikur të mos ketë njerëz. Unë u thashë edhe 8 vetë po të kem do ulem të flas me ta. Rëndësi ka që të mbrosh një kauzë të drejtë e të mos lëkundesh. Nëse flasim për diçka, ky është një rikthim. Unë u lava dy herë në ujëra, herën e tretë e kam më të lehtë.
Ama kam thënë edhe një gjë. Pas fitores së zgjedhjeve, do thërras një votë të përgjithshme për kryeministrin. Kjo është gjë e rrallë. Për këto parti që thonë nuk jemi dakord me Sali Berishën, hajde urdhëro, kandido”-deklaroi Berisha.