Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhen emrat e anëtarëve të bandave në Shqipëri që kanë përdorur aplikacionin “Matrix”


Autoritetet ligjzbatuese ndërkombëtare kanë zbërthyer aplikacionin “Matrix” që është përdorur nga grupet kriminale, mes tyre edhe shqiptarë.

Deshifrimi i bisedave pritet të sjellë zbardhje të ngjarjeve kriminale dhe arrestime.

Shqiptarët duket se kanë qenë përdorues aktivë të këtij aplikacioni siç është zbuluar nga disa dosje hetimore.

Për përdorimin e këtij aplikacioni ka folur edhe Nuredin Dumani, i penduari që ka rrëfyer në SPAK të gjitha krimet dhe porositësit që jepnin shuma marramendëse për eliminimin e armiqve.

“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës Wilson. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës Wilson për shumën 150.000 Euro”, thuhet në komunikime.

Ardian Sufaj, një 40-vjecar i arrestuar në Shqipëri për llogari të Italisë, si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, në një nga bisedat e tij të zbardhura nga Anti-Mafia italiane shprehej:

“Mund ta jap në dorë … nuk mund ta hapin kurrë … kurrë …duhen 75 vjet për t’i hapur këto dhjetë … Izraelitët janë …100 % të koduar … ata quhen Matrix … kjo është një Matricë …”.

Në një tjetër operacion të Anti-Mafias italiane në nëntor 2023 ku u lëshuan 19 urdhër arreste për trafik ndërkombëtar droge u zbulua sërish përdorimi i “Matrix”.

Korrierët përdornin celularë të enkriptuar me origjinë shqiptare, të pajisur me sistemin e mesazheve të çastit “Matrix” dhe përdorej për kujdesin për logjistikën dhe lëvizjen e sasive të mëdha të drogës” thuhej në komunikatë.

Në atë kohë policia italiane sekuestroi 420 kg kokainë, heroinë dhe hashash ndërsa krahas arrestimeve në Itali u arrestuan në Shqipëri edhe Ardian Korriku, Jurgen Korriku e Etleva Adami.