Zyrtarët shëndetësorë meksikanë raportuan të enjten vdekjen e 13 fëmijëve në qendrat mjekësore në Meksikën qendrore për shkak të infektimit të mundshëm nga qeset e serumit në katër qendra shëndetësore.
Ata e lidhën vdekjen e fëmijëve, të cilat ndodhën në tre spitale publike dhe një klinikë private, me një shpërthim të bakterit Klebsiella oxytoca, por thanë se ata ende po punonin për të konfirmuar shkakun.
Ministria e Shëndetësisë e Meksikës lëshoi një alarm epidemiologjik dhe rregullatori shëndetësor “Cofepris” urdhëroi pezullimin e administrimit të solucioneve intravenoze nga “Productos Hospitalarios”, pa specifikuar nëse kompania ishte shpërndarësi i qeseve të serumeve që mund të ishin ndotur. Viktimat ishin të gjithë foshnja dhe fëmijë deri në 14 vjeç.
Autoritetet shëndetësore identifikuan 20 raste me Klebsiella oxytoca, nga të cilat 15 u konfirmuan, katër u klasifikuan si të mundshëm dhe një u përjashtua. Nga 20 rastet, 13 fëmijë vdiqën dhe shtatë mbeten të shtruar në spital. Shkaku i vdekjes së 13 fëmijëve është ende duke u përcaktuar.
“Analizat e vijueshme po kërkojnë të identifikojnë burimin e shpërthimit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ajo i kërkoi personelit shëndetësor që të raportojë menjëherë çdo rast të mundshëm që ata identifikojnë.