Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Lirimi i Berishës nga arresti shtëpiak për shkak të erërave të reja që frynë në Uashington


Botuesi Fahri Balliu në studion e “Log.” në News24, e cilësoi lirimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga arresti shtëpiak si një tregues të dështimit të hetimit ndaj ish-kryeministrit dhe e vuri në dyshim seriozitetin e akuzave ndaj tij.

“Ideja se do izolohej Berisha ishte nga ato mendjet e mbrapshta. Në themel të lirimit të Berishës është dështimi i hetimit ndaj tij. Është një hetim i turpshëm dhe një akuzë foshnjërake, e manipuluar dhe trafikuar mbi parime të një hetimi marksist-leninist,” deklaroi ai.

Duke e krahasuar situatën me zhvillimet në Shtetet e Bashkuara, Balliu theksoi se akuzat kundër Berishës kanë për ngjashmëri me ato që  Donald Trump i ka quajtur si përndjekje nga prokurorë të ndikuar nga axhenda politike. “Tipik nga ato që Trumpi u tha prokurorëve të Sorosit, jeni marksistë-leninistë,” shtoi ai.

Megjithatë, Balliu vlerësoi punën e gjykatëses që mori vendimin, duke shprehur respekt për integritetin e saj. Sipas tij, atmosfera që po fryn nga Uashingtoni pas fitores së Donald Trump, ka pasur një ndikim në këtë vendim.

“Unë e respektoj integritetin e asaj zonjës gjykatëse që pati rastin, por gjithë atmosfera që ka filluar të fryjë nga Uashingtoni pas fitores së Trump nuk mund të përjashtohet,” përfundoi ai.

Duke iu referuar protestës së sotme të Partisë Lirisë, Balliu e cilësoi atë si një akt të natyrshëm dhe shprehu zhgënjimin e tij me SPAK-un.

“Protesta sot e PL ishte një akt i natyrshëm. Duhet të çlirohemi nga ideja që kemi patur për SPAK. Sot vetë SPAK dhe Dumani janë nën akuzë. Nëse nuk mbledhin mendjen e kokës… të mos falsifikojnë dosjet. Nëse i del dikujt emri, le të shkojë aty ku i takon,” tha Balliu.