Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar ashpër ndaj publikimeve në disa media, duke i cilësuar ato si dezinformime të sajuara nga Zyra e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, për qëndrimet e Komisionit të Venecias. Sipas deklaratës së PD, lajmet e publikuara janë të pavërteta dhe synojnë të manipulojnë opinionin publik.
PD shprehet se draft-opinioni i Komisionit të Venecias, i miratuar sot, është mbajtur qëllimisht i fshehtë dhe opozita është përjashtuar nga procesi. Kjo, sipas tyre, ka pasur si qëllim prodhimin e lajmeve të pavërteta që deformojnë përmbajtjen reale të opinionit.
Deklarata thekson se Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese kanë trajtuar parimin e mandatit jo detyrues, duke nënvizuar që deputetët janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre. Megjithatë, PD thekson se ky parim nuk ka lidhje me çështjen konkrete dhe është nxjerrë jashtë kontekstit nga Kryetarja e Kuvendit.
PD i kërkon mediave që të presin publikimin e opinionit zyrtar të Komisionit të Venecias dhe të shmangin raportimet e bazuara në burime jo të besueshme.
Deklarata ironizon duke thënë se “Spiropali nuk është Komisioni i Venecias.”
Grupi Parlamentar i PD akuzon Kuvendin për refuzimin e zbatimit të dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për mbrojtjen e deputetes Olta Xhaçka, të cilën e cilësojnë si një bashkëpunëtore strategjike të Kryeministrit Edi Rama.
PD dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të krijuar konfuzion dhe për të shmangur përgjegjësitë për shkeljet e rënda kushtetuese.
Deklarata e Grupit:
Sot në disa media, është shpërndarë një fake news i prodhuar nga Zyra e Kyetares së Kuvendit, që i paraqitet opinionit publik si qëndrim i Komisionit të Venecias apo burim special e konfidencial nga Komisioni i Venecias.
Mbajtja të fshehtë e draft opinionit të Komisionit të Venecias që është miratuar sot, apo përjashtimi i opozitës nga ky proces, ka patur si qëllim pikërisht dezinformimim e opinionit publik përmes prodhimit të lajmeve të pavërteta të sajuara nga Kryetarja e Kuvendit dhe me fjali të nxjerra jashtë kontekstit të opinionit të Komisionit të Venecias.
Padyshim kur ka trajtuar parimin e mandatit jo detyrues, jo Komisioni i Venecias, por edhe vetë Gjykata jonë Kushtetuese, sqaron që deputetet si rregull janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre, por ky rregull sigurisht që nuk ka lidhje me çështjen në fjalë, siç Gjykata Kushtetuese ka sqaruar.
Grupi Parlamentar i PD i bën thirrje mediave që të tregohen të matura në informimin e publikut dhe të presin publikimin e opinionit të Komisionit të Venecias apo ti referohen vetëm burimeve zyrtare apo serioze për informim mbi këtë çështje, duke refuzuar çdo fake neës që konsideron Elisa Spiropalin si Komisioni i Venecias.
Grupi Parlamentar i PD dënon me forcë sjelljen dezinformuese të Kryetarës së Kuvendit që synon të krijojë konfuzion në opinionin publik, vetëm me qëllim që të mbrojë pandëshkueshmërinë e bashkëpunëtores së Edi Ramës, deputetes strategjike Olta Xhaçka, si dhe të fsheh faktin se për herë të parë në 34 vite Kuvendi ka refuzuar të zbatojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese.