Vendosni fjalën kyçe....

IDU miraton rezolutë për situatën politike në Shqipëri: Të krijohet qeveri teknike dhe gjyqësori të jetë i balancuar


Në një mbledhje të Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), zhvilluar në Uashington, SHBA., u miratua një rezolutë e propozuar nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane e Shqipërisë, e cila ngre shqetësime serioze mbi situatën politike dhe institucionale në vend.

Rezoluta thekson kërkesën për qeveri teknike dhe një sistem gjyqësor të paanshëm.

Rezoluta vë në dukje përqendrimin e pushtetit në duart e një lideri të vetëm gjatë 12 viteve të qeverisjes socialiste, duke e krahasuar situatën me regjime autoritare si Bjellorusia dhe Tunizia. Përmes saj, IDU dënon persekutimin politik ndaj liderëve të opozitës, përfshirë raste të ndjekjes penale dhe kërcënime ndaj figurave të njohura si Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fredi Beleri.

Një pjesë e rëndësishme e dokumentit i kushtohet shqetësimeve mbi korrupsionin e përhapur, lidhjet mes krimit të organizuar dhe zyrtarëve qeveritarë të Partisë Socialiste, si dhe manipulimet zgjedhore të zbuluara nga përgjime dhe raportime ndërkombëtare. IDU kërkon një qeveri kujdestare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2025, duke marrë shembull modelin e Maqedonisë së Veriut.

Në rezolutë nënvizohet nevoja për përfundimin e persekutimit politik ndaj liderëve të opozitës dhe krijimin e një mjedisi të barabartë politik, garancinë e shtetit të së drejtës dhe integritetit të institucioneve, pavarësinë e gjyqësorit nga ndikimet politike, intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, pa shënjestruar opozitën dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Gjithashtu, IDU thekson mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë dhe rolin e opozitës në forcimin e demokracisë. Unioni do të vazhdojë monitorimin e situatës në Shqipëri dhe do të mbështesë përpjekjet për rikthimin e stabilitetit demokratik.

Rezolutë për Shqipërinë

Rezolutë e propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Republikane në Mbledhjen Ekzekutive të IDU-së,

6 Dhjetor në Washington D.C.

DUKE QENË SE IDU mbron fuqimisht shtetin e së drejtës dhe integritetin institucional si themele të demokracisë. Në 12 vite qeverisje socialiste në Shqipëri, kanë përqendruar pushtetin në duart e një personi, duke i reduktuar zgjedhjet në një fasadë. Liderët e opozitës, deputetët dhe zyrtarët vendorë përballen me persekutim politik, burgosje dhe kërcënime, njëjtë si regjimet autoritare në Bjellorusi dhe Tunizi.

DUKE QENË SE korrupsioni i shfrenuar dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe drejtuesve të Partisë Socialiste, të zbuluara nga autoritetet belge, janë alarmante. Kartelët e drogës shfrytëzojnë Shqipërinë për pastrim parash, duke ndërlidhur shtetin me grupet kriminale. Përgjimet zbulojnë bashkëpunimin midis zyrtarëve të qeverisë dhe rrjeteve kriminale për të manipuluar zgjedhjet, emërimet në postet kyçe dhe frikësuar votuesit.

DUKE QENË SE pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR, maxhoranca socialiste nën kryeministrin Rama ka dështuar të trajtojë abuzimet elektorale dhe ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kushtetutën për të dobësuar opozitën. Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2025, represioni politik po përshkallëzohet, duke shënuar gjykime, arrestime dhe burgosje të motivuara politikisht të liderëve të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme më 27 nëntor 2024 për të revokuar arrestimin e z. Berisha I cili erdhi menjëherë pasi Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut drejtoi pyetjet palëve për shkeljet në rastin e tij, evidentoi një gjyqësor të komprometuar nga ndikimi socialist, i cili është kthyer në një mjet për të shtypur opozitën dhe për të manipuluar zgjedhjet. Paralajmërimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, të kapur nga partia në pushtet, janë materializuar nën drejtimin e Ramës, duke kërcënuar stabilitetin demokratik të Shqipërisë.

IDU kërkon:

1. Dhënien fund të persekutimit politik ndaj liderëve të opozitës, dhe sigurimi i një mjedisi të lirë e të ndershëm për të gjithë aktorët politikë në mënyrë që të bëjnë fushatë pa asnjë persekutim politik.

2. Garantimin e shtetit të së drejtës dhe integritetit institucional si themele të një shoqërie demokratike.

3. Një sistem gjyqësor të paanshëm dhe të lirë nga ndërhyrjet politike.

4. Intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që veprimet të mbeten të paanshme duke mos targetuar opozitën.

5. Zgjedhje të lira dhe të ndershme që garantojnë pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet.

6. Krijimin e një qeverie kujdestare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

IDU konfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjedhjet e lira dhe rolin kyc të opozitës në rikthimin e demokracisë. IDU do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe europiane të Shqipërisë.