Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Venecias shqyrton sot mandatin e Olta Xhaçkës


Komisioni i Venecias do marrë sot në shqyrtim mandatin e Olta Xhaçkës, që është çuar për shqyrtim nga socialistët lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes së PS-së.

Kërkesa u çua në Venecia nga kryetarja e Kuvendit Spiropali, ndërkohë një mision faktmbledhës u caktua nga komisioni për të dëgjuar palët.

Në seancën e 13 shtatorit 2024 në Kuvend socialistët votuan për herë të tretë kundër kalimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Xhaçkës, ish-ministre e Jashtme e ish-ministre e Mbrojtjes.

Kryetarja e Kuvendit iu drejtua Komisionit të Venecias për një opinion nëse Gjykata Kushtetuese mund të imponojë një deputet si duhet të votojë, lidhur me votën e deputetëve socialistë kundër dërgimit në gjykatë të mandatit.

Çështja e mandatit të Xhaçkës ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e PD-së. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj deklaroi para pak muajsh se ishte e papranueshme e paprecedentë që vendimet e institucionit që drejton të mos zbatoheshin.