Vendosni fjalën kyçe....

Kushtetuesja anulon zgjedhjet presidenciale në Rumani, pas akuzave për ndërhyrje ruse


Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka marrë vendim që zgjedhjet presidenciale, balotazhi i të cilave pritej të mbahej këtë fundjavë, të shfuqizohen tërësisht dhe të mbahen zgjedhje të reja.

Kushtetuesja e mori këtë vendim të premten, duke thënë se Qeveria duhet të vendosë tani për datën e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Vendimi i gjykatës erdhi pas akuzave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, gjë që, sipas shërbimeve të inteligjencës rumune, ndihmuan kandidatin e ekstremit të djathtë dhe miqësor ndaj Moskës, Calin Georgescu, ta fitojë rundin e parë të zgjedhjeve.

“Procesi zgjedhor për zgjedhjen e presidentit të Rumanisë do të rifillojë nga e para. Qeveria do të caktojë një datë të re për zgjedhjet presidenciale në Rumani, si dhe një program të ri kalendarik për kryerjen e veprimeve të nevojshme”, tha gjykata.

Nuk është ende e paqartë pas vendimit të gjykatës nëse të gjithë kandidatët do të lejohen të riregjistrohen për zgjedhjet e reja, apo nëse Georgescu mund të përjashtohet nga zgjedhjet pasi u zbulua se ai gëzoi mbështetje nga Moska.

Fitorja e Georgescut tronditi Perëdnimin, pasi Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë publikoi dokumente të klasifikuara për të cilat tha se tregojnë dëshmi se një fushatë e madhe kibernetike, e orkestruar nga Moska, në TikTok në favorit të Georgescut, nuk u vërejt nga autoritetet rumune.

Georgescu pritej të përballej në balotazh me kandidaten proevropiane të qendrës, Elena Lasconi, të dielën e 8 dhjetorit.

Votimi kishte filluar në diasporë në balotazhin presidenciale të Rumanisë, i cili shihej si referendum për të ardhmen e vendit në NATO dhe në Bashkim Evropian, për shkak se ka pasur shumë akuza se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.

Dyshimet për ndërhyrjen ruse sollën mijëra rumunë nëpër rrugët e vendit për të protestuar në përkrahje të anëtarësimit të vendit në bashkësinë euroatlantike.

Autoritetet rumune kishin vendosur t’i jepnin diasporës së madhe dy ditë e gjysmë për të votuar, për t’i shmangur pritjet e gjata në misionet e jashtme diplomatike të vendit.

Georgescu dukej favorit për ta fituar balotazhin, por në sondazhet më të fundit Lasconi e kaloi atë, pasi Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) publikoi të mërkurën dokumente të klasifikuara, duke zbuluar se vendi ishte në shënjestër të një “veprimi agresor hibrid nga Rusia”, që çoi drejt fitores befasuese të kandidatit prorus.

Lasconi, ish-prezantuese televizive dhe kryetare e qytetit të vogël Kampulung, kishte një epërsi prej dy për qind ndaj Georgescut, sipas një sondazhi të publikuar të enjten nga AltasIntel.

Fitorja e Georgescut në rundin e parë ngjalli frikë dhe shkaktoi protesta, posaçërisht në mesin e rumunëve të rinj, për të ardhmen demokratike të vendit.

Të enjten, rreth 3.000 njerëz marshuan në Budapest duke kërkuar që Rumania të qëndrojë në rrugën e saj proevropiane. Ata më pas u mblodhën në sheshin e kryeqytetit, ku brohoritën “Liri” dhe “Evropë”.

Shumëçka varet edhe nga balotazhi presidencial, i cili do të zhvillohet më 8 dhjetor mes kandidates së qendrës së djathtë, Elena Lasconi, dhe kandidatit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu.

Sipas dokumenteve të deklasifikuara, shërbimi i inteligjencës i Rumanisë beson se Georgescu është promovuar masivisht në TikTok me mbështetje nga Rusia, përmes metodave të shumta, duke përfshirë llogari të koordinuara, algoritme për të rritur praninë e tij në platformë dhe promovim me pagesë.

Dokumentet shpjegojnë se si popullariteti i Georgescut u rrit nga 1 për qind pak para garës në 22 për qind, përmes një operacioni të gjerë manipulimi që përfshinte influencerë dhe mashtroi institucione rumune si dhe votues të zakonshëm.

Dokumentet e deklasifikuara tregojnë se influencerë në TikTok u rekrutuan për ta promovuar Georgescun, si drejtpërdrejt duke e mbështetur publikisht, ashtu edhe në mënyrë të tërthortë përmes mesazheve neutrale që përmbanin hashtage të lidhura me të.

Shërbimet e inteligjencës rumune lanë të kuptohet se janë shpenzuar shuma të mëdha parash në këtë operacion. Georgescu ka deklaruar para autoriteteve zgjedhore rumune se nuk ka shpenzuar asgjë për fushatën e tij.

Shërbimi i inteligjencës e lidhi operacionin me Rusinë duke theksuar se të dhënat e qasjes për faqet zyrtare zgjedhore të Rumanisë u publikuan në platformat ruse të krimit kibernetik.

Rusia e ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet e Rumanisë./REL