Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj thotë se mirëpret hetimin e SPAK, ndërsa shigjeton kritikët në politikë e media


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas kontrollit në banesë nga SPAK-u dhe hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Në një deklaratë në rrjetin social “X”, Veliaj thotë se mirërpret hetimin e SPAK-ut ndërsa shigjeton kritikët e tij në politikë dhe media.

Jo vetëm që i mirëpres hapat e ndërmarrë nga prokuroria, por i mbështes në çdo hap. Familjarët e mi dhe unë, si qytetar dhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë,” tha Veliaj.

Në deklaratën e tij, Veliaj theksoi se, prej kohësh, ai është përballur me gjykime publike të cilat, sipas tij, vijnë nga opozitarë dhe media që ai akuzon për shpifje dhe shantazhe.

Hetimin dhe gjykimin tim prej kohësh e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të ‘ashtuquajturat media’, të cilat luftojnë çdo zyrtar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta,” vijoi Veliaj.

Ai distancoi veten nga “kasta e vjetër politike”, duke nënvizuar mbështetjen e tij për një drejtësi të barabartë për të gjithë dhe duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta përdorur atë si një mjet politik.

Unë nuk bëj pjesë në atë kastë që, për shumë kohë, e vendosi veten mbi ligjin dhe drejtësinë. Të gjithë ata që i kanë borxhe drejtësisë, tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, sulmojnë atë me çdo mjet,” u shpreh Veliaj.

Ai përfundon deklaratën duke shprehur përbuzje ndaj të pavërtetave dhe disinformacioneve që, sipas tij, dëmtojnë imazhin e tij dhe të familjarëve të tij, si dhe punën e institucioneve të drejtësisë.

Reagimi i plotë: 

Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.

U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.

Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.

Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale.

Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumë vjeçare të mosndëshkueshmërisë.