Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, GJKKO lë në burg Murat Gjunikun


Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin për vazhdimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Murat Gjuniku, i akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Murat Gjuniku është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Falsifikimi i dokumentave” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

Njoftimi i GJKKO-së:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 05.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal, e caktuar me vendimin nr. 54, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim Murat Gjuniku”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 149, datë 07.12.2024, vendosi:

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale e caktuar me vendimin Nr. 54, datë 06.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim Murat Gjuniku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Falsifikimi i dokumentave” e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal” të parashikuara nga nenet 298/2 -28/4; 189/2 – 28/4; 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Murat Gjuniku, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit te gjykatës.

Tiranë, më datë 07.12.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar