Berisha: Dje u zhvillua një betejë mes Kodrës së Diellit e Sarajeve të Surrelit


Kryedemokrati Sali Berisha përmes një bashkëbisedimi me qytetetarët në rrjetet sociale, tha se të premten, forcat e Skapit u dërguan në shtëpinë e Erion Veliajt për të ushtruar kontroll, por dera e shtëpisë u hap vetëm pas paraqitjes së Alban Dabullës. Berisha theksoi se Dabulla, duke përdorur kode mafioze, dërgoi fotot dhe regjistrimet që implikonin Olsi Ramën në trafikun e drogës, duke e lidhur atë me bandën e Xibrakës.

Sipas Berishës, pas këtij zhvillimi, Erion Veliaj doli me një komunikatë ku mbështeti forcën speciale Skapin, ndërsa theksoi se sulmi i Berishës ndaj Skapit ishte një manipulim. Berisha përfundoi duke akuzuar Velinë dhe të tjerë për përfshirje në aktivitete kriminale dhe duke i kërkuar përgjegjësi për lidhjet e tyre me bandat e drogës.

“Do të ndalem shkurtimisht, por edhe në një betejë tjetër, që u zhvillua dje, në orët më të para të mëngjesit dhe gjatë ditës këtu në vend, betejë të cilën mediat e pavarura e cilësuan si një betejë midis Kodrës së Diellit dhe Sarajeve të Surrelit, dhe me një element të veçantë, ultimatumin ‘Dabulla’, u shpreh Berisha.

Çfarë ndodhi dje?

Dje në orët e para të mëngjesit, ekipe të tëra të Skapit mësynë në shtëpinë e banimit të lali vjedhësit. Por dera e banesës nuk u hap të paktën për 1 orë e gjysmë.

Ekipet që kishin shkuar aty me mandat gjykate për të ushtruar kontroll dhe të gjitha veprimet, nuk guxuan të hapnin derën me forcë siç kërkon rregulli.

Por u prit gjersa në derë u paraqit një personazh, që askush nuk e imagjinonte se do të mund të ishte ai që do të hapte derën. Nuk ishte i vëllai i zonjës Veliaj, nuk ishte as kunati i saj, nuk ishin familjarët, nuk ishin punonjësit e bashkisë.

Por aty u paraqit Alban Dabulla, si i plotfuqishëm dhe vetëm pas paraqitjes së Dabullës, dera u hap.

Ndërkohë, Erion Veliaj nga Hamburgu në statusin e tij të parë u fotografua me një tigër, në fakt më mirë të kishte vendosur një hienë, se hiena i përshtatet atij. Por tigri ishte simbol i forcës dhe kërcënimit dhe natyrisht ndaj sarajeve të Surrelit dhe Edi Ramës.

E vërteta është se në këtë betejë, me kode mafioze që vazhdoi gjithë ditën, Alban Dabulla me ultimatumin e tij, luajti një rol përcaktues.

Dabulla i dërgoi Surrelit dhe jo vetëm, fotografitë e Olsi Ramës me Genti Xhixhën, me kolumbianët alkimistë të Xibrakës. Regjistrime që kishte nga aktiviteti i bandës së Xibrakës.

Për një ndërprerje të shkurtër në dosjen e Xibrës, njëri nga emrat krahas Ermal Hoxhës, Gentian Gjonajt, është edhe Dabulla, Besnik Dabulla, i vëllai i Albanit.

I vëllai i Albanit u lëshua mandat arresti në kohën e bandës së Xibrakës, por kur policia shkoi, Albani bëri të njëjtin akt, i dërgoi Ramës fotot e Olsit me grupin e kokainës, regjistrimet dhe policia u tërhoq, nuk e arrestoi Besnik Dabullën, anëtar aktiv i bandës së Xibrakës.

Tani pas kaq kohësh, në një kohë kur Olsi është akuzuar nga opozita, me fakte, dokumente se ai është anëtar i bandës së Xibrakës, Dabulla përsëri dje nxori dokumentet që disponon, me të cilat Olsin e çon drejt në qeli, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në SHBA, se ai ka shtetësi edhe amerikane edhe shqiptare.

Çfarë ndodhi pas kësaj?

Pas kësaj miqtë e mi, ndodhi ajo që patë.

Endri Fuga zëdhënësi i Edi Ramës dhe Altin Dumanit, pas gjithë asaj zhurmnaje të madhe, lëshon një komunikatë se u sekuestrua telefoni i Ajola Xoxës. Kaq ishte. U katandis kokoshi në thelë.

Kurse Erion Veliaj, nga tigri u bë lepur, lëshoi një komunikatë ku tha, me kolegët e mi të Skapit, jam në harmoni të plotë, fajin e ka Berisha që e sulmon Skapin, rroftë Skapi dhe u mbyll hesapi.

Këto janë të vërtetat e betejës që i zhvillua dje mes Kodrës së Diellit, dhe sarajit të Surrelit.”