Vendosni fjalën kyçe....

Dhunoi dhe kërcënoi me vdekje bashkëshorten, arrestohet 65-vjeçari në Tiranë, i sekuestrohet një kallashnikov


Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Prevention”, duke arrestuar në flagrancë një 65-vjeçar, i cili kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e kishte kanosur atë se do ta vriste.

Operacioni ka nisur pas një njoftimi të marrë në Komisariatin e Policisë Nr. 1, ku u raportua se një shtetas po ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe po e kanoste me vrasje në rrugën “Tomi Kristo” të Tiranës. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë, duke ndërhyrë në kohë për të parandaluar ngjarjen dhe për të siguruar dokumentimin e plotë të rastit.

Si pasojë e veprimeve të shpejta dhe profesionale, u arrestua shtetasi Sh. V., 65 vjeç, i cili akuzohet për “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjatë kontrollit të banesës së 65-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi një thikë, një armë zjarri kallashnikov, katër krëhra dhe municion luftarak. Kjo ka shtuar akuzat ndaj tij, duke e bërë edhe më të rëndë veprën e tij.

Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.