Prokuroria e Posaçme ka dërguar në GJKKO kërkesën për gjykim për kryebashkiakun e Devollit, Eduard Duro dhe 4 të pandehurit e tjerë, Astrit Seferkolli, Gazmend Haxhija, Gazmend Mali e Vojsava Bregu, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në lidhje me dhënien e lejeve dhe autorizimeve për stacionin e karburanteve në Devoll.
Sipas SPAK, veprimet e paligjshme të autoriteteve, përfshirë dhënien e lejes në vitin 2015 dhe autorizimit në vitin 2020, janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret përkatëse, duke mundësuar përfitime të padrejta për kompaninë “Genci Petrol”.
Në kohën kur u dhanë lejet, kjo kompani nuk ishte e pajisur me dokumentacionin e kërkuar ligjor dhe ishte kundër vendimeve të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për prishjen e objektit.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme më datën 6 dhjetor, kërkesën për dërgimin për gjykim të 5 të pandehurve; Eduard Duro, Astrit Seferkolli, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Mali për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal dhe Vojsava Bregu për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Shkelje në dhënien e lejes dhe autorizimit për shoqërinë “Genci Petrol” sh.p.k
Nga aktet e administruara rezulton se janë konstatuar shkelje ligjore nga njësia Administrative Qendër Bilisht, me dhënien e një lejeje në vitin 2015 dhe një autorizimi në vitin 2020 shoqërisë Genci Petrol”, sh.p.k., për stacionin e shitjes së karburantit në Devoll, Kapshticë. Prej vitit 2015 dhe në vijim, nga dhënia e lejes dhe autorizimit në kundërshtim me ligjin janë realizuar përfitime të padrejta nga kjo shoqëri.
Në kohën kur mbante detyrën e Administratorit të komanduar të Njësisë Qendër Bilisht, shtetasja Vojsava Bregu mundësoi shoqërisë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me lejen nr.4, në 27 gusht të 2015 “për tregtimin me pakicë të karburanteve+GLN”, me vendndodhje të aktivitetit tregtar në Devoll, Kapshticë.
Dhënia e lejes ishte në kundërshtim me ligjin nr.8450, dt 24.02.1999 dhe VKM nr.170, dt.25.04.2002. Subjekti “Genci Petrol”, sh.p.k. në kohën e dhënies së saj nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a. aktin e kontrollit, b. lejen e shfrytëzimit për stacionin e karburantit dhe c.autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, si rrugë interurbane dytësore.
Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k, me autorizimin nr. 1543 prot., datë 23.06.2020 “Për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, në stacionin rruga nacionale Bilisht-Kapshticë, kilometri 10, në afërsi të Doganës, Kapshticë”.
Autorizimi i mësipërmen është dhënë në kundërshtim me ligjin nr. 8450, dt 24.02.1999 dhe VKM nr. 970 dt. 2.12.2015 dhe në këtë kohë “Genci Petrol” sh.p.k. nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar; a.çertifikatën e përdorimit të objektit stacion karburanti dhe b.autorizimin për hyrje-dalje në rrugë nga enti pronar i rrugës. Për këtë objekt të kundraligjshëm, me vendim të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nr. 437, datë 04.10.2019 ishte vendosur edhe prishja e tij.
Shënim për gazetarët:
- Procedimi penal nr.243. i vitit 2020
- Ligji 8450, dt.24.02.1999 – “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar.
- VKM nr. 170, datë 25.04.2002 – “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e lejeve e të autorizimeve për tregtimin e naftës, gazit e nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar.
- VKM 970 dt.2.12.2015 – “Për përcaktimin e procedurave dhe kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, i ndryshuar.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.