Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Fee”, duke çmontuar një rrjet prostitucioni që operonte në qytet. Gjatë operacionit, janë arrestuar shtatë persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, të dyshuar për shfrytëzim prostitucioni.
Shtetasit që janë arrestuar përfshijnë katër shtetase të huaja, dy kolumbiane, një spanjolle dhe një venezueliane, ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prostitucioni”.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar gjithsej 43,000 lekë dhe 2,780 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, si dhe 9 celularë që përdoren për aktivitetin kriminal. Ndërkohë, për dy shtetasit e shpallur në kërkim, F.G. dhe J.G., vijon puna për kapjen e tyre.
Njoftimi:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e paligjshmërisë në fushën e ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fee”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-Shtetasit kolumbiane A. B., 22 vjeç, dhe L. B., 19 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
-Shtetaset spanjolle S. F., 36 vjeçe, dhe M. C., 32 vjeçe, shtetaset kolumbiane P. S., 27 vjeçe, dhe Y. A., 29 vjeçe, si dhe shtetasja venezueliane A. R., 38 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen venezueliane Y. O., 31 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit peruane F. G., 23 vjeçe, dhe J. G., 44 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Gjatë operacionit, në lagje të ndryshme të Elbasanit, këto shtetas kishin përshtatur për shfrytëzim prostitucioni ambiente të marrë me qira, si dhe duke u promovuar në faqe online ofronin favore seksuale kundrejt pagesave.
Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 43 000 lekë, 2 780 euro, që dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 9 celularë.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.