Vendosni fjalën kyçe....

Rrjeti i organizatave “Barazi në Vendimarrje” dënon dhunën verbale ndaj deputetes Ina Zhupa në Kuvend


Rrjeti i organizatave “Barazi në Vendimarrje” ka reaguar pas ngjarjes së 5 dhjetorit në Kuvendin e Shqipërisë, duke dënuar ashpër përdorimin e gjuhës së dhunës me bazë gjinore ndaj deputetes Ina Zhupa.

Organizatat theksojnë se kjo formë dhune, qoftë ajo verbale, psikologjike apo fizike, dekurajon gratë të përfshihen në politikë dhe minon vlerat demokratike të shoqërisë.

“Dhuna dekurajon gratë të merren me politikë dhe pengon përparimin e shoqërisë sonë”, thuhet në reagimin e tyre, duke kërkuar një qëndrim më të përgjegjshëm nga deputetët dhe institucionet, në mënyrë që të promovojnë dialogun dhe komunikimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ky reagim vjen pas sulmit verbal të deputetit Erjon Braçe ndaj deputetes Zhupa, i cili përdori terma të pavend dhe fyese si “mos hidh parfum”, “pri thonjtë”, “dukesh si ruse”. Deputetja Zhupa iu përgjigj me një shprehje popullore, “O Erion tu rritë boja, sa shumë m.. të ha goja”. e cila përshkallëzoi tensionet në seancën plenare.

Deklaratë:

Thirrje për Kujdes në Komunikim dhe Dialog

Në kushtet e tensioneve të shtuara politike, Task Forca Kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë u bën thirrje deputetëve dhe institucioneve më të larta që të zgjedhin komunikimin dhe dialogun si mënyrën kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. I ftojmë të gjithë aktorët politikë që të zhvillojnë një komunikim paqësor dhe me respekt, duke nxitur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Dënojmë me vendosmëri çdo formë dhune, qoftë ajo verbale, psikologjike apo fizike, duke theksuar se dhuna minon vlerat demokratike dhe pengon përparimin e shoqërisë sonë. Le të punojmë së bashku për të krijuar një mjedis ku mosmarrëveshjet zgjidhen përmes diplomacisë, respektit dhe mirëkuptimit.

Dhuna nuk ka vend në politikë, dialogu duhet të jetë rruga e vetme për të ecur përpara.

Task Forca Kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë