Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për Albi Mecinin dhe dy shokët e tij Ervis Cukali e Arafat Manërkolli, që dyshohet se do të transportonin një sasi prej 21 kg eksploziv.
Ndaj tyre është ngritur akuza për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit” e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha.
Më 28 shtator 2023, të tre të pandehurit kishin transportuar lëndë eksplozive prej 21 kilogram e 265 gram në qytetin e Fierit.
NJOFTIMI:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre shtetasit A.M., E.C., dhe A.M. për ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit’ e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha, parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.1070, i kryer në bashkëpunim me policinë gjyqësore, rezultoi se shtetasi A.M u kap nga policia gjyqësore në flagrancë në fshatin Vajkan, të qarkut Fier, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.
Nga hetimet rezultoi se të tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetërin, më datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe trasportuar lëndën eksplozive prej 21 kilogram e 265 gram në qytetin e Fierit. Të pandehurit, janë të dënuar më parë dhe dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda. Pas kryerjes së veprime të plota, organi i akuzës ka arritur të provojë se të pandehurit kanë konsumuar plotësisht veprat penale për të cilën akuzohet dhe për këtë shkak ka përpiluar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike.