Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur bisedime trepalëshe me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, dhe presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Paris më 7 tetor, qytet ku janë mbledhur udhëheqës botërorë për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së katedrales Notre Dame.
Zelensky, që po shikon të rrisë mbështetjen për shtetin e tij që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022, arriti në kryeqytetin francez mesditën e 7 dhjetorit.
Takimi i përbashkët nisi në Pallatin Elize në orën 17:30, sipas kohës lokale.
Tre udhëheqësit bënë një fotografi të përbashkët para takimit, por jo edhe deklarata, sipas REL.
Zelensky pritet të largohet menjëherë nga Parisi pasi të kenë përfunduar ceremonitë për rihapjen e Notre Dame, që u restaurua pas zjarrit shkatërrues të vitit 2019.
Për restaurimin e ndërtesës janë mbledhur afër 1 miliard dollarë donacione nga e mbarë bota.
Trump, i cili do të nisë mandatin e presidentit më 20 janar, ka kritikuar ndihmën në vlerë prej miliarda dollarësh që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës, që kur ka nisur lufta.
Ai po ashtu ka thënë se mund t’i japë fund luftës brenda 24 orësh pasi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, një deklaratë që është interpretuar në mënyrën që Ukraina do të duhet të heqë dorë nga territori që aktualisht Rusia ka pushtuar.
Trump dhe Zelensky po ashtu kanë një histori të gjatë mes tyre, kryesisht për shkak të një bisede të famshme telefonike.
Gjatë bisedës telefonike të korrikut të vitit 2019, Trump i kishte kërkuar Zelenskyt që të hetonte aktivitetet në Ukrainë të Joe Bidenit dhe djalit të tij Hunter. Joe Biden më pas e kishte mposhtur Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Kjo telefonatë çoi në akuza se Trump kishte kushtëzuar ndihmën ushtarake në vlerë prej 400 milionë dollarësh në këmbim të hetimit të familjes Biden dhe për këtë Trump u përball me gjykim në Dhomën e Përfaqësuesve më 2019, nën akuza për abuzim me pushtetin dhe për pengim të Kongresit. Senati e shfajësoi atë nga akuzat në shkurt të vitit 2020.
“Presim diskutime të mira sot gjatë takimit me Macronin”, tha një burim nga delegacioni ukrainas për agjencinë AFP, para se të bëhej publik takimi trepalësh.
Kjo agjenci po ashtu raportoi se Elon Musk, njeri më i pasur në botë dhe një nga aleatët më të ngushtë të Trumpit, pritet të marrë pjesë në ceremonitë në Paris.
Po ashtu, më herët gjatë ditës, Zelensky tha se Ukraina ka pranuar dërgesën e dytë me avionë të sofistikuar luftarakë F-16 nga Danimarka.
Në nëntor, kryeministri danez, Mette Frederiksen, kishte njoftuar se shteti i tij do të dërgonte edhe dy dërgesa me avionë F-16 në Ukrainë. Gjashtë veçse janë dërguar, dhe në total Kopenhaga do t’i japë Kievit 19 avionë të tillë.