Gjatë një bashkëbisedimi më selinë blu me anëtarë të FRPD-së dhe grupimit Dhjetori 90, kreu i PD-së Berisha tha se asnjë vend nuk ka bërë më shumë për lirinë e kombeve sa SHBA-ja, por fatkeqësisht herë pas here kanë bërë edhe grushte shteti.
Duke iu kthyer çështjes së PD-së ai tha se SHBA-ja u përpoq t’i caktonte partisë kryetarin dhe ta kthenin atë në aleate të PS-së dhe kjo për shkak se e majta ekstreme kërkon të shuajë forcat konservatore.
“Asnjë vend tjetër nuk ka bërë më shumë për lirinë e kombeve të tjera, saç kanë bërë SHBA-të, por duhet thënë se herë pas here kanë kryer dhe grushte shtetit, gjë të cila janë njolla të zeza në historinë e cilitdo që i kryen ato. Tani kërkonin me çdo kusht kësaj partie, që ishte matur me një diktaturë, që kishte përmbysur një diktaturë, t’i caktonin kryetarin. Kërkonin me çdo kusht që këtë parti ta kthenin në një aleatë të PS-së, partisë së krimit dhe kjo vetëm e vetëm se e majta ekstreme amerikane kërkonte të shuante forcat konservatore, ose t’i mposhte ato. Forca të cilat kudo që janë, qëndrojnë për familjen, patriotizmin, dinjitetin njerëzor, për liritë, që kanë një program shumë të thjeshtë. Duhet të zëvendësoheshin. Koha është shumë e ngjeshur, por në raste se ne shfrytëzojmë çdo orë çdo ditë në këtë betejë, ne do të jemi fitimtar siç ishin këta në vitin ’90. Do të jetë ky revolucioni i dytë demokratik i shqiptarëve, një nga faqet më të ndritura të përpjekjeve të tyre për liri, interes dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.” – tha Berisha.