Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Vlorë.
Lënda plasëse i është vënë një lokali në zonën e Ujit të Ftohtë.
“Rreth orës 06:00, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në një lokal, në pronësi të shtetases R. B., ka shpërthyer, dyshohet lënde plasëse, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”-thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi bar restoranti “ The Boss” ku u vendos sasia tritolit ka qënë në pronësi të Bledar Birçaj i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen ‘Hajro Çakërri’.
Lokali ka qenë me qira, dhe është marrë sërish nga pronarët (vëllezërit e Bledarit) të cilët kanë pak kohë që e kanë vënë në punë.
Lokali është në emër të nënës Resmie Birçaj.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar një person me maskë që i afrohet lokalit, vendos tritolin me fitil dhe më pas e ndez për të ndodhur shpërthimi 5 sekonda më pas. Autori më pas është larguar mes pallateve.