Kreu i Partisë Republike, Fatmir Mediu, tha mbrëmjen e sotme se opozita nuk kërkon një qeveri të sajën por një qeveri kujdestare që të organizojë zgjedhje e të lira e të ndershme.
Duke iu referuar pjesëmarrjes së tij dhe disa deputetëve të PD-së në forumin e IDU-së në Uashington, ku u miratua rezoluta e tretë në mbështetje të opozitës, ai tha se të gjitha raportet ndërkombëtare faktojnë problemet me zgjedhjet në Shqipëri.
“Kërkesa jonë për një qeverisje kujdestare, nuk është kërkesa për të marrë pjesë në qeveri me Ramën, siç ka ndodhur. Është kërkesa për të krijuar një qeverisje si në Maqedoni, ku për një periudhë të caktuar kohore, përpiqet që administrata shtetërore, apo problemet që kanë me korrupsionin dhe krimin, ti shkëpusë nga problemet zgjedhore. Pra të heqë duart e administratës, krimit, qeverisë nga manipulimi i zgjedhjeve dhe kjo i shërben interesave të vendit. Dhe ky është diskursi që ne kemi pasur me ndërkombëtarët. Nuk po kërkojmë qeveri të opozitës, por një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse është provuar se nuk kemi pasur zgjedhje të lira dhe te ndershme. Nuk di ça duhet tjetër për ta provuar këtë, raporti i OSBE-ODIHR, apo fakte të tjera konkrete që kanë dalë, ku grupe të caktuara kriminale përcaktojnë se kush janë deputetët e listës së PS.” – tha Mediu në emisionin “Edicioni i pasdites” në Syri Tv.