NASA po vonon uljen e saj të parë në Hënë pas më shumë se 50 vjetësh, duke e çuar objektivin në vitin 2027, ndërsa inxhinierët e agjencisë janë në garë me kohën për të rregulluar çështjet kritike të sigurisë për sai përket pajisjeve dhe planeve të nevojshme për fluturimin.
Zyrtarët e Agjencisë u thanë gjithashtu gazetarëve të enjten se po vononin një mision pararendës të quajtur Artemis II, që do dërgojë një ekuipazh prej katër vetash që do fluturojnë në Hënë deri në prill 2026. Ai fluturim do transportojë gruan e parë, personin e parë me ngjyrë dhe astronautin e parë joamerikan në afërsi të Hënës.
Misioni vajtje-ardhje është pjesë e një plani për të ulur njerëzit përsëri në Hënë. Vonesa vjen një ditë pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi astronautin dhe sipërmarrësin miliarder të SpaceX, Jared Isaacman, si Administratorin e ardhshëm të NASA-s.
Shkaku kryesor i vonesës janë problemet e vijueshme me mburojën e nxehtësisë të anijes Orion të ndërtuar nga “Lockheed Martin”, e cila është e nevojshme për mbrojtjen e ekuipazhit nga temperaturat djegëse kur mjeti të kthehet në Tokë dhe të zhytet në atmosferën e planetit.
Gjatë një misioni provash në vitin 2022 pa një ekuipazh në bord, pjesë të mburojës së nxehtësisë u shkëputën nga kapsula gjatë kthimit të saj në Tokë, duke ngritur shqetësime për aftësinë e saj për të mbajtur gjallë ekuipazhet e ardhshme.
Agjencia vendosi pas testimeve të gjera të mbajë mburojën ekzistuese të nxehtësisë, por të ndryshojë trajektoren e mjetit ndërsa hyn në atmosferën e Tokës, tha të enjten administratori i NASA-s Bill Nelson.