Sot, më 8 Dhjetor, shënohet Dita Kombëtare e Rinisë, një moment historik që kujton një prej ngjarjeve më të rëndësishme për Shqipërinë: nisjen e Lëvizjes Studentore 34 vite më parë, e cila solli demokracinë dhe rrëzimin e regjimit komunist.
Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës nisën protesta historike që shënuan fundin e sistemit njëpartiak dhe fillimin e pluralizmit politik. Duke u organizuar nga “Qyteti Studenti” dhe marshuar drejt qendrës së Tiranës, ata ngritën zërin me thirrjet “Liri, Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kërkesat e tyre përfshinin garantimin e pluralizmit politik, ndërtimin e një shoqërie demokratike të bazuar në vlera perëndimore dhe integrimin në Europë.
Protestat kulmuan më 11 Dhjetor 1990, kur, pas një takimi me Ramiz Alinë, u zyrtarizua pranimi i pluralizmit politik, çka çoi në krijimin e Partisë Demokratike dhe hapjen e rrugës për demokracinë. Kjo lëvizje historike vijoi deri në shembjen përfundimtare të diktaturës komuniste dhe instalimin e një sistemi demokratik në vend.
Që prej vitit 2009, 8 Dhjetori njihet zyrtarisht si festë kombëtare, duke nderuar studentët dhe rininë shqiptare që dhanë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për lirinë dhe demokracinë.